Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Buffon tërhiqet nga futbolli aktiv

Ish-portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, ka marrë vendim që t’i thotë lamtumirë futbollit aktiv në moshën 45-vjeçare.

Mediumet italiane kanë njoftuar të martën se Buffon ditëve në vijim, do të mbajë një konferencë për shtyp për ta kumtuar vendimin e tij.

Ai këtë vendim e ka marrë për shkak të lëndimeve të shpeshta që i ka pasur vitet e fundit dhe tashmë e ka shkëputur kontratën me skuadrën e Parmas, e cila i skadonte në vitin e ardhshëm.

Buffon, që vlerësohet si njëri prej portierëve më të mëdhenj në historinë e futbollit, do të pensionohet pas më shumë se tri dekadave si lojtar profesionist.

Ai karrierën e nisi te Parma në vitin 1995 për ta vazhduar te Juventusi dhe Paris Saint-Germaini. Në vitin 2021, Buffon u rikthye te Parma në Serie B, ku ishte kapiten i ekipit dhe regjistroi 19 paraqitje.

Buffon ka fituar edhe titullin e botës me Italinë, për të cilën ka 176 ndeshje. Në nivel klubesh, Buffon ka fituar 30 trofe, përfshirë dhjetë herë titullin e kampionit të Italisë me Juventusin.