Sport

Veseli, fitues i Botërorit U-17 dhe ish-futbollist i Man. Cityt e Man. Unitedit

60 mijë tifozë e shikuan atë ndeshje në nëntor të vitit 2009. Të gjithë ishin kundër tij, kundër Frederic Veselit dhe bashkëlojtarëve të tij.

Por në fund ai arriti ta ngrejë trofeun.

Zvicra e mposhti Nigerinë me rezultatin 1:0, në finale të Kupës së Botës të vitit 2009, për grupmoshën U-17.

Veseli ishte i pari që e mbajti në duar trofeun. Qendërmbrojtësi me rrënjë nga Kosova ishte kapiten i Përfaqësueses zvicerane, që përfshinte yllin e Arsenalit, Granit Xhaka, ish-lojtarin e Wolfsburgut, Ricardo Rodriguez, dhe ish-sulmuesin e Frankfurtit, Haris Seferoviq.

“Ai ishte kapiteni im, lider absolut”, kishte thënë përzgjedhësi i Zvicrës U-17, Dany Ryser për “Aargauer Zeitung”.

“Si 17-vjeçar ishte shumë i rritur. Ende e kujtoj reagimin e tij kur mbetëm në aeroport para ndeshjes finale kundër Nigerisë. Ai m’u drejtua me fjalët: ‘Pa ne nuk do të zhvillohet finalja’. Ka qenë impresive”.

Një vit e gjysmë para triumfit në Botëror, ishte në Manchester City

Në atë kohë, të gjitha dyert ishin të hapura për Veselin. Përafërsisht një vit e gjysmë para Kupës së Botës U-17, kur ishte 15-vjeçar, Veseli kaloi te Manchester City, saktësisht në verën e vitit 2008. Dhe pas triumfit të jashtëzakonshëm të të rinjve të Zvicrës, të cilët mposhtën Gjermaninë, Italinë dhe Brazilin në atë garë në Nigeri, gjërat do të duhej të merrnin hov të madh.

Por në Manchester City situata ishte krejtësisht ndryshe nga koha kur ai nënshkroi me “të kaltrit” në vitin 2008. Në vend të të rinjve, në klub u bazuan në yjtë e shtrenjtë.

Veseli nuk e pati shansin me ekipin e parë dhe hasi në vështirësi për t’u paraqitur rregullisht edhe në ekipin e rezervistëve.

Në fillim të vitit 2012, në moshën 19-vjeçare, Veseli mori vendim që do të mund të krijonte konflikt të tifozëve. E ndërroi skuadrën brenda qytetit, shkoi nga City te Manchester United.

“Freddie ndjente se ishte ende në zhvillimin e tij”, ka thënë në atë kohë këshilltari Adam Bouskouchi për “Daily Mail”.

“Kur Sir Alex u përgjigj...”

Një verë më herët, ai kishte mundësinë të fluturonte drejt SHBA-së me profesionistët e Cityt për përgatitje.

“Gjatë këtij udhëtimi, Roberto Mancini (atëherë trajner i Cityt) dhe Brian Marwood (drejtor i futbollit) vazhdimisht i kanë thënë atij se sa mirë e kishte prezantuar veten. Por, asgjë më shumë nuk erdhi pas asaj”, ankohej këshilltari i Veselit. “Ai dëshironte të bëhej lojtar i shkëlqyer në Angli dhe kur Sir Alex Ferguson (atëherë trajner i Man. Unitedit) e kontaktoi atë, pati ndikim të madh”.

Veseli po ashtu pati qasje të mirë në ndeshjet testuese në United, por ai asnjëherë nuk luajti ndeshje garuese për ekipin e parë të “Djajve të Kuq”.

Dhe për garat e juniorëve të Zvicrës e humbi lidhjen gjatë viteve. Për U-21, kapiteni kampion botëror i U-17, luajti vetëm një ndeshje.

Në nivel klubesh, Veseli nuk ishte pjesë e ekipeve me emër që prej verës së vitit 2013, kur Unitedi e la atë të lëvizte drejt Ipswich Town si transferim i lirë.

Por të paktën në Port Vale pati sezon të mirë në divizionin e tretë të futbollit anglez në edicionin 2014/15, dhe e fitoi mundësinë të shkonte në divizionin e parë zviceran te klubi FC Lugano.

Debutoi me Kombëtaren e Shqipërisë në tetor 2015 dhe luajti në Kampionatin Evropian me shtetin nga ku i ka rrënjët, në vitin 2016. Tani ka 27 paraqitje me Shqipërinë dhe shpeshherë është i rregullt.

Edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për karrierën e madhe të cilën e ka ëndërruar kur ishte udhëheqës i Xhakës dhe të tjerëve në kampanjën për titullin e botës, tani për 27-vjeçarin mund të thuhet se ka pasur karrierë të denjë.

Veseli shkoi te FC Empoli nga Lugano në vitin 2016, luajti 48 ndeshje në Serie A për italianët në tre vjet e gjysmë.

Pas huazimit te Le Mans në Francë, Empoli e transferoi te US Salernitana në divizionin e dytë, në fillim të shtatorit. Veseli firmosi kontratë të vlefshme deri në vitin 2022.