Po bie shi i fortë në Salerno, një qytet bregdetar me 200,000 banorë, i cili gjendet rreth 50 kilometra në jug të Napolit. Në një hotel me tre yje afër stadiumit të skuadrës së Salernitanas, dalin 12 futbollistë me fanella të Torinos, ekip që do të përballet me vendasit në kuadër të kampionatit italian. Një orë më vonë, një tjetër futbollist vjen në hotel, por nuk është pjesë e Torinos. Ai është shqiptari i lindur në Zvicër, mbrojtësi Frederic Veseli, që është pjesë e Salernitanas. 29-vjeçari ka një histori interesante, e cila e ka dërguar nga Zvicra në dy klubet e mëdha të Manchesterit dhe në Itali. Ai është inteligjent, ka qenë kampion bote dhe është gati për ta zbuluar rrëfimin e tij. Veseli nuk luajti ndaj Torinos, ndeshje që Salernitana e humbi 1:0 më 2 prill, por ishte në tribuna për ta përkrahur ekipin e tij.
“Turma do të ishte më e madhe nëse moti nuk do të ishte i tillë”, thotë ai.
Pas përfundimit të ndeshjes, Veseli i zhgënjyer e tundte kokën, ndërsa shokët e tij humbin edhe një ndeshje tjetër në luftën për mbijetesë. Në fakt, Salerninatas nuk i ndihmoi as Franck Ribery ndaj Torinos.
Ai thotë se është e pamundur të dalësh për të ngrënë në qytet pas humbjes, pasi tifozët e klubit i përjetojnë rëndë disfatat. Veseli është njëri prej futbollistëve të paktë që i flet rrjedhshëm disa gjuhë. Ai flet gjuhën shqipe, angleze, frënge dhe italiane.
“Unë kam lindur në Zvicër nga prindër shqiptar që janë nga Kosova. Ata u zhvendosën në Lausanne para luftës në Kosovë për një jetë dhe mundësi më të mirë. Babai shkoi më përpara, pastaj mamaja iu bashkua disa vite më vonë. Ai fillimisht punoi në ndërtim, përpara se të lante pjata në një restorant dhe pastaj të bëhej pjesë e një kompanie që prodhonte pako plastike”, shpjegon Veseli.
“Unë kam lindur në vitin 1992. Në Kosovë shkonim çdo verë, përveç kohës së luftës. Ne u kthyem pas dhe pamë shtëpitë e shkatërruara, shenjat e plumbave, kufijtë dhe kontrollet e reja. Pashë njerëz që ecnin të humbur, pa pasur ku të shkonin. Fshati i babait tim u shpëtua nga sulmi i serbëve në momentet e fundit. Një nga miqtë e mi më të mirë është serb, ne jemi rritur së bashku, dhe ka shumë serbë dhe shqiptarë në Zvicër që shkojnë së bashku në shkollë. Nuk ka probleme”.
Ai u rrit duke folur frëngjisht dhe shqip në shtëpi. Veseli zbulon se si nisi edhe të merret me futboll.
“Babai im ishte pjesë e një klubi shqiptar me bazë në Lausanne. Babai i Lorik Canës, i cili ishte kapiten i Sunderlandit, ishte drejtor atje. Vëllai im i madh filloi të luante dhe unë shkoja ta shikoja dhe aty fillova të luaj”, tha Veseli, i cili iu bashkua Lausanne Sport, por klubi falimentoi. “Fatmirësisht, isha i zgjuar në shkollë. Punova shumë dhe vazhdova të merrja nota të larta. Në vitin e fundit shkollor kam pasur rekordin e notave më të mira në rajonin tonë. Isha 15 vjeç. Prindërit e mi ishin të lumtur sepse donin që unë të studioja, por ishte e vështirë kur u transferova në Angli”.
Veseli ishte kapiten i Përfaqësueses U17 të Zvicrës, me të cilin u shpall kampion i botës në vitin 2009.
“Fillova të thirresha në ekipin U15 të Zvicrës. Unë kam qenë qendërmbrojtës dhe u bëra kapiten menjëherë, ku luajta si kapiten në çdo grupmoshë deri në moshën nën 20 vjeç. Ne fituam Kupën e Botës U17 në Nigeri në 2009, gjë që ishte e mahnitshme. Ne ishim skuadra e vetme që luajtëm shtatë ndeshje dhe patëm shtatë fitore në atë turne. Mundëm Italinë, Brazilin, Gjermaninë, Meksikën, Japoninë, Kolumbinë dhe Nigerinë. Brazili kishte Neymarin, i cili ishte i famshëm dhe në ekipin e parë, pastaj Coutinhon e Allisonin”, kujton Veseli.
Periudha e kaluar te City dhe Unitedi
Para triumfit në Botëror, Veseli kishte firmosur me ekipin U18 të Manchester Cityt. Ai thotë se pasi firmosi me Cityn, mori oferta edhe nga shumë skuadra të tjera të Evropës. E transferimi në Angli nuk ishte aspak i lehtë për Veselin.
“Unë kisha nënshkruar për Manchester Cityn para Kupës së Botës, ata më kishin parë në një turne të rinjve në Francë. Isha kapiten i Zvicrës dhe luajta mirë. City erdhi të më takonte në Lausanne dhe më ftoi të shihja Manchesterin. Kam nënshkruar me ta në vizitën time të dytë. Pas kësaj, Unitedi erdhi për mua dhe ekipe të Francës, si Auxerre dhe Monaco, por unë kisha nënshkruar për Cityn”, thotë Veseli.
“Ishte e vështirë për mua. City tha se ata me të vërtetë më donin dhe se babai im mund të lëvizte me mua. Më në fund pranuam. Unë isha 15 vjeç dhe u zhvendosa menjëherë pasi mbaroi semestri i shkollës. Nuk kisha pushim, as një ditë. Duke parë mbrapa tani, ndiej se më ka munguar një pjesë e fëmijërisë sime - thjesht një jetë normale me familjen time dhe duke parë vëllain tim të vogël duke u rritur. Nga ana tjetër po jetoja ëndrrën time”.
Brenda një kohe të shkurtër, Veseli ishte pjesë e ekipit të dytë të Cityt, kurse me ardhjen e trajnerit Roberto Mancini, ai u ftua edhe në ekipin e parë.
“U ngjita shpejt te rezervat dhe më kërkuan të stërvitesha rregullisht me ekipin e parë. Mancini më kishte parë si stërvitesha dhe më ftoi në ekip për një ndeshje në kuadër të Carling Cup. Ai më tha se do të debutoja në ndeshjen e fundit të sezonit dhe thirri familjen time, por unë u lëndova pak ditë më herët. Isha i shkatërruar”, shprehet Veseli.
Para fillimit të sezonit të ri, Veseli u përfshi në ekip për turneun parasezonal në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se atje e përjetoi ëndrrën pasi ndihej pjesë e ekipit të parë dhe u takua me të gjithë futbollistët.
“Shkuarja ime në SHBA pothuajse nuk ndodhi sepse pasaporta ime nuk ishte biometrike. Trajneri i ekipit të dytë më tha se duhej të qëndroja, por Mancini me tha se do të më priste. Shkova në zyrën e pasaportave dhe u tregova historinë time, përpara se të pajisesha me pasaportën e re. Përgatitja parasezonale në Los Angles ishte si një ëndërr, pasi stërvitjet ishin të mira, por të vështira”, thotë ai.
“Aty pata mundësinë të stërvitem dhe të luaj me lojtarët më të mirë si Sergio Aguero, Edin Xheko, David Silva e Yaya Toure”.
Megjithatë, thotë se u detyrua të largohet nga City si lojtar i lirë, pasi nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për pagën, ndonëse Mancini insistonte të mbetej në skuadër. Pas largimit nga City, Veseli u transferua te Manchester Unitedi. E për këtë lëvizje, Veseli mori edhe kërcënime me vdekje.
“City donte që unë të rinovoja, Mancini po ashtu. Prisja një pagë që e ndieja se e meritoja, ishte rreth 5000 funte. Doja të qëndroja te City, të shkoja në huazim dhe të përmirësohesha. Ne kurrë nuk mund të pajtoheshim me kushtet. Mancini më pyeste gjatë gjithë kohës se çfarë po ndodhte. Vazhdova të luaja përpara se t’i bashkohem Manchester Unitedit”, thotë Veseli. “Kontrata ime mbaroi dhe City më liroi dhe nënshkroi një letër që thoshte se mund të largohesha pa pagesë. Të nesërmen, shkova me makinë në terrenin stërvitor të Cityt për të mbledhur gjërat e mia dhe shkova firmosa për Manchester Unitedin pasi kalova kontrollimet mjekësore. Historia shpërtheu në gazeta. Në rrjetet sociale jam përgëzuar dhe jam kërcënuar me vdekje në të njëjtën kohë. Më duhej të mbyllja rrjetet sociale. Nuk u tremba, nuk mendoja se njerëzit do të më vrisnin, por njerëzit që më thoshin se e dinin se ku jetoja nuk ishte mirë. Isha i trishtuar sepse kisha kaluar një kohë shumë të mirë te City për tre vjet e gjysmë”.
Te Unitedi, insiston se ishte nivel tjetër, gjithçka më e madhe dhe më e mirë. Thotë se bënte stërvitje shtesë për shkak se te Unitedi kërkohej përgatitja fizike. Aty është stërvitur dhe ka luajtur me Paul Pogban në ekipin e dytë.
“Shkova në Afrikën e Jugut me ekipin e parë dhe luajta në Shangai para një turme të madhe. E mahnitshme. Unitedi është klubi më i madh në botë. Kishim një aeroplan masiv për të na çuar direkt në Afrikën e Jugut dhe më pas në Kinë”, shprehet mbrojtësi.
Sezoni i parë i Veselit ishte edhe i fundit për trajnerin legjendar Alex Ferguson tek Unitedi. Në fund të edicionit, Ferguson i tha se mund të largohet pasi nuk ia doli me ekipin e parë. Po ashtu, ai i tha se mund të qëndronte edhe për një vit, por do të ishte i lumtur ta ndihmonte të gjente një klub për t’iu bashkuar si lojtar i lirë
“E ndieja këtë çdo ditë, se po luaja për klubin më të madh dhe më të mirë në botë”, pranon Veseli. “Kisha shumë oferta për t'u larguar nga Unitedi. Leicesteri, Burnley, Barnsley, Ipswichi si dhe Udinese në Itali. Ipswichi ishte më i interesuari. Kur firmosa me Ipswichin ende nuk isha rikuperuar nga lëndimi dhe nuk luajta pothuajse për gjashtë muaj. Nga shumë oferta prej Unitedit shkova në asnjë pas Ipswichit dhe isha shumë i mërzitur për këtë”.
Periudha e vështirë dhe zhvendosja në futbollin italian
Prej Ipswichit, Veseli shkoi te Bury si huazim për t’u kthyer te Ipswichi, por klubi e dërgoi sërish në huazim. Veseli sërish ishte i dëshpëruar dhe shkoi te Port Vale, ekip që i bëri ofertë për ta transferuar duke i ofruar një mijë funte në javë, por që Veseli e refuzoi. Në verën e vitit 2015, ai u largua përfundimisht nga Anglia për t’u kthyer në Zvicër.
“Askush nuk më donte. Isha i ngopur me futbollin dhe thjesht doja të shkoja në shtëpi. U ktheva në Zvicër dhe i thirra vetë klubet. Nuk e di nëse isha në depresion, nuk shkova te mjeku. Qëndrova në shtrat dhe duhej ta detyroja veten të stërvitesha. Prindërit dhe vëllezërit më shtynë. Kisha pak para nga futbolli, por jo të mjaftueshme për të blerë një pronë. Disa klube as nuk më kthyen përgjigje, disa më thanë jo, gjë që e vlerësova sepse të paktën e dija se ku isha. Nuk kisha klub për tre muaj dhe u regjistrova në universitet. Kisha nota mjaftueshëm të mira, por duhej të bëja një kurs për të hyrë në universitet. Ky nuk ishte problem”, shpjegon Veseli, i cili iu bashkua Luganos përpara se të ftohet nga Shqipëria. “Pastaj më thirri një agjent dhe më tha që Lugano në pjesën italiane të Zvicrës më ofroi një provë dyjavore. Pas dy ditësh ata thanë se donin të nënshkruanin me mua. Ata sapo ishin ngjitur në divizionin e lartë dhe qëllimi ishte të qëndronin lart. Po luaja sërish çdo javë dhe pas katër muajsh më thirri Shqipëria. Thashë po menjëherë dhe bëra debutimin tim në vitin 2015. Unë shkova në ‘Euro 2016’ me Shqipërinë, që ishte gjëja më e mirë ndonjëherë. Isha kaq krenar. I dija fjalët e himnit kombëtar. Prindërit e mi ishin aty. U kthyem në Shqipëri dhe na trajtuan si mbretër. Na dhanë një pasaportë diplomatike, që do të thotë se nuk duhet të qëndroj në radhë në aeroporte”.
Derisa ishte në Francë, ai u ftua nga drejtuesit e Luganos që i thanë se duhej ta firmoste kontratën edhe për vitin e dytë me të njëjtën pagë. Ata e kushtëzuan Veselin duke i thënë se duhej të nënshkruante kontratën e re nëse dëshironte të luante. Mirëpo, refuzoi një gjë të tillë dhe nëpërmjet një avokati arriti ta shkëpuste kontratën.
“U ktheva pa klub dhe askush nuk më donte përkundër një sezoni të mrekullueshëm. Habitesha që nuk më donte askush kur papritmas një agjent më kontaktoi në ‘Instagram’ dhe tha se kishte një ekip për mua në Serie A, Empoli, edhe pse nuk e dija se ku ishte Empoli. Nënshkrova një kontratë, por kur Empoli thirri Luganon për letrat e mia, ata thanë se nuk isha i lirë. Kjo e frikësoi Empolin, por unë i kisha mbajtur të gjitha dokumentet nga Lugano. Lugano më paditi dhe unë nuk isha në gjendje të luaja deri në tetor, por e dija se kisha të drejtë dhe e fitova betejën”, thotë Veseli. “Gjithçka u rregullua dhe bëra debutimin tim në Serie A, u ktheva! Por ne zbritëm, pastaj u kthyem lart, pastaj zbritëm përsëri”.
Më shumë probleme me agjentët, Empoli përpiqet ta shesë në një klub që Veseli nuk donte t’i bashkohej.
“Unë iu bashkova Salernitanas sezonin e kaluar dhe u promovuam në Serie A si kampionë. Kam edhe një vit kontratë këtu. Salerno është qytet i mirë dhe tifozët janë të pasionuar, kështu që besoj se do të mbetem deri në fund të kontratës”, zbulon Veseli. “Unë jam 29 vjeç, por ndihem mirë. Jam bërë një lojtar më i mirë në Itali, ku mbrojtja është kaq taktike. Vitet më të mira do të vijnë, unë jam i sigurt për këtë”.