Xherdan Shaqiri ka pasur karrierë të madhe si futbollist në nivel klubesh, por edhe me Përfaqësuesen e Zvicrës.
Në verën e vitit të kaluar u kthye te Baseli dhe është afër që ta fitojë titullin me skuadrën ku edhe e nisi karrierën. Ai ka luajtur edhe për Bayern Munichun, Interin, Stoke Cityn, Liverpoolin, Lyonin e Chicago Firen. Ka të fituar shumë trofe të rëndësishëm, përfshirë këtu edhe dy herë Ligën e Kampionëve dhe titujt në Bundesligë e Premier League. U përshëndet me përfaqësuesen helvetike pas 125 ndeshjeve të luajtura e 32 golave të realizuar.
Në një intervistë dhënë për “Bluesport”, Shaqiri ka folur për të kaluarën e tij me emocione.
Ka treguar fillimisht për bashkëlojtarin favorit, ndonëse ka luajtur me shumë yje të futbollit.
“Nëse do të duhej ta zgjidhja njërin, është Franck Ribery. Kam kaluar shumë mirë me të, brenda dhe jashtë fushës. Ai është emocional dhe i drejtpërdrejtë. Ndonjëherë kemi luajtur lojën gur-letër-gërshërë në autobus. Humbësi është dashur ta gjuajë me diçka trajnerin. Nëse nuk e gjuaje, Ribery bëhej shumë nervoz”, ka thënë Shaqiri duke qeshur.
Përveç që ka pasur bashkëlojtarë të njohur e me karrierë të madhe, dhe për shkak se ka luajtur në ngjarje të mëdha, Shaqiri është përballur edhe me kundërshtarë shumë të fortë.
“Sergio Ramos. Gjithmonë kam pasur respekt për të. Ai ka qenë lojtar shumë agresiv”, ka theksuar Shaqiri kur është pyetur për kundërshtarin më të fortë me të cilin është përballur.
Në verën e vitit të kaluar pas përfundimit të Kampionatit Evropian, Shaqiri u pensionua nga Përfaqësuesja e Zvicrës. Ai pas Granit Xhakës është lojtari me më së shumti paraqitje.
Me Përfaqësuesen A të Zvicrës debutoi më 3 mars të të vitit 2010.
Dhe njëri prej 32 golave me Zvicrën për të është më i veçanti në karrierë.
“Goli im i parë për Zvicrën, si 17-vjeçar ndaj Anglisë në Basel. Ajo ishte unike. Njerëzit jashtë ndoshta dëgjuan për mua për herën e parë pas atij goli. Ka qenë shumë e veçantë për mua dhe do ta kujtoj përherë”.
Shaqiri në fund të intervistës ka folur edhe për trajnerët më të rëndësishëm në karrierë, por edhe eksperiencën më të mirë në stadiumet ku ai ka luajtur.
“Me të gjithë trajnerët, përfshirë Guardiolan, Kloppin, Heynckesin, kam pasur momente të mira e të këqija. Është normale. Por do ta veçoja Ottmar Hitzfeldin. Ai më mori në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut kur isha 17-vjeçar. E kujtoj edhe tani sa i befasuar ishte trajneri i atëhershëm i Baselit, Thorsten Fink, pasi unë isha ndërsa Valentin Stocker mungonte. Ottmar gjithmonë më ka besuar dhe ma dha rastin edhe pse isha i ri në moshë. Ajo më ka ndihmuar të transferohesha te Bayern Munichu. Sa u përket stadiumeve, kam luajtur në shumë stadiume të bukura. Por ndeshja me Interin në udhëtim te Celticu. Nuk kisha përjetuar kurrë një gjë të tillë. Tifozët e Celticut e këndonin këngën ‘You’ll Never Walk Alone’ para çdo ndeshjeje. Ishte e zhurmshme. Luajtëm 3:3, shënova gol. Në secilin gol të shënuar, mendoja se stadiumi po dridheshte. Ishte çmenduri!”, ka deklaruar Shaqiri.