Sport

Vëllai i madh në stol, i vogli në fushë

Prishtinë, dhjetor – Kur trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, dëshiron t’i qortojë futbollistët e tij në stërvitje, ai këtë e bën tërthorazi. Fillimisht i drejtohet vetëm një futbollisti dhe pasi e qorton atë e ka më të lehtë që mesazhin ta shpërndajë te të tjerët.

Ai që qortohet nga Armend Dallku është mbrojtësi Ardin Dallku, vëllai i vogël i trajnerit. Dallku i madh pranon se vëllain nuk e kursen nga qortimi, ndonëse thotë se kjo është krejtësisht e kuptueshme për Ardinin, i cili më së miri e njeh se sa kërkues është jo vetëm në stërvitje, por edhe në lojë.

Këtë edicion Ardini i është bashkuar Armendit te Dukagjini, ekip që është kthyer në Superligën e Kosovës në futboll.

Është rast jo i shpeshtë që vëllai i madh të jetë trajner i vëllait të vogël në një ekip. Ka raste kur babai është trajner i të birit në ndonjë klub. Por ta kesh vëllain trajner, ndodh më rrallë.

Armendi është nëntë vjet më i madh se Ardini, me të cilin thotë se te Dukagjini ka një raport shumë profesional: trajner - lojtar.

“Shpesh i bërtas Ardinit të parit në stërvitje kur dua të jap një mesazh te lojtarët tjerë. Pasi i bërtas Ardinit atëherë u drejtohem të tjerëve dhe e kam më lehtë, sepse me këtë ua bëj me dije se as vëllai im nuk po kursehet. Megjithatë, në klub kur jemi, qoftë stërvitje apo lojë, kemi raport profesional dhe është i kuptueshëm qortimi ndaj tij”, ka pranuar Armend Dallku.

“Mund të them se kemi raport trajner-lojtar, që është e kuptueshme, sidomos kur jemi në klub. Natyrisht që jashtë stërvitjeve jemi vëllezër dhe takohemi me njëri-tjetrin, kurse në fushë gjërat ndryshojnë”.

Trajner i rreptë

Këtë e pranon edhe Ardini. Ai thotë se Armendi është shumë kërkues si trajner dhe mundohet që asnjëherë mos ta bjerë punën që të qortohet prej tij. Sipas Ardinit, Armendi është prej trajnerëve që pothuajse kurrë nuk jep lëvdata, por vetëm kërkon gjithnjë e më shumë.

“Nuk është keq ta kesh vëllain trajner, por vetëm nëse e bën punën mirë si lojtar. Pra, duke mos i lënë atij hapësirë për të qortuar. Nuk e dinë të tjerët se çfarë vëllai e kam, është shumë i rreptë. Në fakt, asnjëherë nuk të lavdëron, por vetëm kërkon gjithnjë e më shumë. Është shumë kërkues si trajner”, thotë Ardin Dallku.

Armendi pranon se e ka paramenduar që një ditë të jetë trajner i Ardinit , por nuk ka besuar se kjo do të realizohet.

Image

Ardin Dallku u transferua te Dukagjini para fillimit të këtij edicioni, por jo me rekomandimin apo kërkesën e Armendit, në këtë rast trajnerit. Dukagjini ishte në kërkim të një mbrojtësi dhe Armendi e dinte që Ardini ishte i lirë dhe mund të kryente punë, por nuk i tha askujt asgjë në klub. Ishin drejtuesit e klubit ata që e propozuan dhe e transferuan Ardinin.

“Nuk kam kërkuar e as nuk kam insistuar për ta marrë Ardinin te Dukagjini duke e ditur mentalitetin tonë edhe pse në klub kishim nevojë për një mbrojtës. Madje kryesia e klubit ishte ajo që e kreu punën me Ardinin dhe mua më qortuan se përse nuk e kam përmendur fare si opsion”, ka treguar Armend Dallku. “Mirëpo, unë jam i kënaqur që e kemi një lojtar si Ardini në ekip, duke e ditur dëshirën e tij të madhe për të luftuar për klubin dhe angazhimin që e ka. Është një forcë shtesë për ne, pasi ka luajtur në të gjitha pozitat në mbrojtje duke filluar nga qendërmbrojtësi, pastaj mbrojtës i krahut të djathtë dhe të majtë. Është njëri me statistikat më të mira dhe këtë e ka dëshmuar në fushë. Në këtë rast për Ardinin po flas sikurse për çdo lojtar tjetër për shkak se kur vjen puna te profesioni nuk e njoh si vëlla”.

Sikurse trajneri edhe futbollisti është i kënaqur që është pjesë e skuadrës së Dukagjinit. Madje, Ardini thotë se ai gjithmonë mundohet të japë më të mirën nga vetja për të mos e sjellë punën që të qortohet nga Armendi.

“Nuk është keq ta kesh vëllain trajner në ekip, e them këtë sepse kur e bën punën si duhet dhe angazhohesh, atëherë nuk ka vend as për dyshim e as për qortim. Ne kemi raporte profesionale, pasi secili kemi punët tona. Ka raste që pas stërvitjes apo pas lojës as nuk përshëndetemi, por shkojmë punëve tona edhe pse jemi vëllezër. Raportet në klub me ato jashtë klubit dallojnë”, shton Ardini.

Realizimi i ëndrrës

Në fakt, Ardini në njëfarë mënyre po e realizon ëndrrën të cilën e ka pasur gjithmonë. Ëndrra e tij ishte që të luante përkrah Armendit në të njëjtin ekip. Megjithatë, kjo dëshirë nuk iu realizua Ardinit që ishte së bashku me Armendin te Vorskla në Ukrainë. Ishte Armendi ai që e dërgoi Ardinin në Ukrainë. Mirëpo, kur Ardini u promovua në ekipin e parë të Vorsklas, Armendi u largua.

“Pasi jemi në një ekip së bashku, ndonëse Armendi është trajner, mund të them se deri diku po e realizoj ëndrrën që e kam pasur gjithmonë të luaj përkrah tij. Në edicionin që u promovova në ekipin e parë të Vorsklas, Armendi u largua dhe unë e zura vendin e tij në ekip. Tani e kam si ngushëllim që Armendin e kam trajner dhe po punoj me të në një klub”, shprehet Ardini.

Armend Dallku vlerësohet legjendë tek ekipi elitar i Ukrainës, ku la luajtur prej vitit 2005 deri në vitin 2016. Ardini te Vorskla prej vitit 2012 deri në vitin 2016 ka qenë pjesë e të rinjve, kurse deri në vitin 2019 ka luajtur për ekipin e parë.

“Ardinin e pata marrë në Ukrainë, por atje nuk e ka pasur aspak të lehtë për shkak të pasaportës. Megjithatë, kur ai u promovua në ekipin e parë, unë u largova”, tregon Armendi.

Ardini e ka ende një dilemë. Ai nuk e di se si ta thërrasë Armendin kur bëhen bashkë në shtëpi. Ai thotë se futbolli është pjesë e familjes së tyre. Model të dy vëllezërit e kishin babin, të ndjerin Sabit Dallku, që ka qenë pjesë e gjeneratës së suksesshme të Prishtinës.

“Dorën në zemër kur po bëhemi bashkë në shtëpi nuk po di si ta thërras, trajner apo vëlla. Mirëpo, e mira e kësaj pune është se në shtëpi kemi muhabete tjera dhe nuk flasim për futbollin”, tha Ardini, i cili edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Gjilanit.

Armendi në edicionin 2019/20 e mori drejtimin e skuadrës së Prishtinës, ekip me të cilin e fitoi Kupën e Kosovës. Pas largimit nga Prishtina e mori Dukagjinin që e riktheu në Superligë pas një viti në Ligën e Parë, si dhe arriti deri në finalen e Kupës së Kosovës.

Si futbollist, Armend Dallku ishte mbrojtës i krahut të djathtë. Ka luajtur për Vushtrrinë, Prishtinën e Elbasanin. Por kulmin e kishte te Vorskla. Dallku, tani 38-vjeçar, ka qenë pjesë e Shqipërisë prej vitit 2005 deri në vitin 2013. Ishte prej të dalluarve në gjeneratën e tij. Tani ka nisur karrierë trajneri dhe po i ecën mbarë.