Të martën ka vdekur Arsim Fehmiu, kontribuuesi i madh i zhvillimit të sportit kosovar. Profesor Fehmiu ka vdekur në moshën 91-vjeçare.
Kontributi i tij për zhvillimin e sportit shqiptar në përgjithësi dhe sidomos sportit në Kosovë vlerësohet shumë i madh.
Ai ishte i lindur në Sarajevë, ndërsa ishte pjesë e familjes atdhetare Fehmiu. Shkollimin fillor e ka kryer në Sarajevë, Shkodër e Prizren. Gjimnazin e përfundoi në Prizren, ndërsa shkollën normale në Gjakovë, në vitin 1949. Më pas ndoqi mësimet në shkollën e mesme të Fizkulturës në Beograd. Institutin Shtetëror të Fizkulturës e përfundoi në Beograd në vitin 1957.
Më pas u specializua për trajner të futbollit, në Beograd e Zagreb. Ishte prej themeluesve të Fakultetit të Kulturës Fizike në Prishtinë dhe ka vënë bazat e katedrës së futbollit, basketbollit, hendbollit e volejbollit në këtë fakultet. Si trajner i futbollit ka punuar në klubin kroat Rijeka. Ka drejtuar edhe juniorët e shtetit të dikurshëm federativ, Jugosllavisë. Në sportin e futbollit ishte i angazhuar edhe në Kosovë, në pozita e periudha të ndryshme.
Gjatë karrierës së gjatë si profesor universitar ka ligjëruar edhe për atletikën, basketbollin, volejbollin, hendbollin. Ka ligjëruar edhe në lëndë të tjera, ndërsa ishte i përfshirë edhe në hartimin e planprogrameve mësimore.
Ka dhënë kontribut për sport edhe gjatë viteve nëntëdhjeta, ndërsa angazhimin nuk e ka ndalë as pas luftës së fundit. I ndjeri Fehmiu është shpërblyer me shumë çmime e mirënjohje gjatë karrierës së gjatë në sport dhe në mësimdhënie. Vlerësohet kontributi i tij në përgatitjen e brezave të tërë të mësimdhënësve dhe trajnerëve.
Varrimi i profesor Arsim Fehmiut bëhet të mërkurën nga ora 16:30 në Prizren.