Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vazhdojnë telashet e trajnerëve me Malishevën

Trajneri Sami Sermaxhaj nuk do të vazhdojë punën me Malishevën nëse kontrata e tij dhe kontratat e ndihmësve të tij nuk do të vërtetohen në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Sermaxhaj ka thënë të martën se vërtetimi i kontratës së trajnerit është punë e drejtorit sportiv të klubit. Ai mori drejtimin e Malishevës pas largimit të Arsim Thaqit, që kishte kritikuar klubin për joprofesionalizëm.

“I kam thënë drejtorit që t’i vërtetoj kontratat tona në FFK para se të nisemi për në Turqi për përgatitje. Ai me injorancë dhe prerazi ma ktheu se ‘nuk kam kohë të merrem me këtë punë’. Dhe, unë i thashë se nëse nuk ke kohë as unë nuk kam kohë ta mbaj stërvitjen me ekipin pa u vërtetua kontrata. Kam menduar se kontrata ime dhe e kolegëve të mi ishte e vërtetuar, por është neglizhuar deri më tani. Më është dukur e paarsyeshme. Prandaj jam në pritje të një sqarimi nga presidenti i klubit dhe të shoh nëse kanë disponim të vazhdojmë tutje”, ka thënë Sermaxhaj për KOHËN. Sermaxhaj me Malishevën ka kontratë deri në fund të qershorit. Por, ajo nuk është e vërtetuar në FFK. Vërtetimi i kontratës është parakusht që trajneri të kërkojë të drejtat e tij.

Sermaxhaj ka theksuar se të mërkurën futbollistët kanë të caktuar terminin për kontrollime mjekësore, ndërsa të enjten është planifikuar udhëtimin për përgatitje në Turqi.

“Gjithçka do të varet nga presidenti, pasi vlerësoj se kemi bërë punë të shkëlqyer me futbollistët. Mendoj se është një problem teknik, por që duhet të kryhet”, ka theksuar Sermaxhaj.

Jo rrallë trajnerët janë pa mbrojtjen e duhur kur largohen nga një klub.

Artikuj të ngjashëm