Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Shqipërisë, Kristi Vangjeli i është bashkuar skuadrës së Prishtinës. Kampionia e Kosovës në futboll, të enjten e ka prezantuar Vangjelin por nuk i ka bërë të ditura detajet e kontratës.
Vangjeli edicionin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Tiranës kurse karrierë ka bërë edhe te Adelaide (Australi), Astra Giurgiu (Rumani), Skënderbeu i Korçës, Chernomoretsi (Ukrainë) dhe Arisi (Greqi). “408 ndeshje në këmbët e tij, prej tyre 41 ndeshje në Kupat e Evropës me klube, 35 paraqitje me Kombëtaren ‘A’ të Shqipërisë.
Futbollist me përvojë të madhe në repartin mbrojtës dhe klubi ynë ka kënaqësinë të pranoj një futbollist të tillë në gjirin e saj”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Prishtinës. Ndërkohë, Vangjeli ka thënë se është i lumtur që do të jetë pjesë e Prishtinës dhe se do të mundohet që ta ndihmojë me përvojën e tij.
“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Ndjehem mirë që do të vazhdoj të vesh fanellën bardh e kaltër, kjo një kënaqësi më tepër. Vije në një ekip kampion dhe shpresoj që gjithë atë përvojë dhe forcën në karrierën time t’ia përcjell ekipit këtu, të ndihmoj në maksimum, qoftë për të arritur kalimin e turneve në Evropë, qoftë për të arritur prapë objektivin kryesor të klubit, titullin e kampionit”, ka thënë Vangjeli.