Transferimi i ish-futbollistit të Shqipërisë, Kristi Vangjeli, në korrik të këtij viti u vlerësua si transferim i madh nga kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës, Prishtina. Edhe vetë Vangjeli pati plane të mëdha me fanellën e Prishtinës. Pati thënë se mosha e tij nuk do të ndikojë në përmbushjen e pritjeve që në klub i kishin për të. Madje, pati shtuar se synimi i tij është ta ndihmojë Prishtinën në mbrojtjen e titullit të kampionit.
“Besoj se jam dhe ndihem ashtu sikur verëra, sa më e vjetër aq më e mirë. Shpresoj këtë ta tregoj në fushë dhe mos t’ia lë asnjë tifozi apo analisti për të ma përmendur moshën time”, pati thënë Vangjeli në prezantimin e tij te Prishtina më datën 17 korrik për faqen zyrtare të klubit.
Mirëpo Vangjeli u largua nga Prishtina pa i mbushur pesë muaj të plotë. Për rreth pesë muaj sa ishte pjesë e Prishtinës, mbrojtësi 36-vjeçar pati në total vetëm dhjetë ndeshje, ku regjistroi një asistim. Javën e shkuar, Prishtina njoftoi për shkëputjen e kontratës me Vangjelin, me marrëveshje të dyanshme. E Vangjeli, që ka përvojë të madhe ndërkombëtare, të mërkurën për KOHËN ka thënë se nuk është aspak pishman që vendosi t’i bashkohej Prishtinës para fillimit të këtij edicioni. Në fakt, ai insiston se është krenar dhe i lumtur për periudhën që e barti fanellën e Prishtinës, ekip me të cilin kishte firmosur kontratë njëvjeçare.
“Nuk pendohem aspak për vendimet e mia. Kam ardhur te Prishtina me shumë kënaqësi, por nganjëherë futbollit nuk i dihet. Nuk është se kam pasur pakënaqësi me klubin apo me bashkëlojtarët. Jemi ndarë me marrëveshje të dyanshme. Kam qenë i lumtur për aq kohë sa kam qenë pjesë e ekipit”, është shprehur Vangjeli. “Prishtina ka një grup të mirë të lojtarëve dhe siç i kam uruar kur jam përshëndetur në ditën e fundit, i uroj sërish, sepse kanë kualitetin dhe dëshirën për të qenë sërish kampione e Kosovës”.
Para se t’i bashkohej Prishtinës, Vangjeli në edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Tiranës, ndërsa karrierë ka bërë edhe tek Adelaide (Australi), Astra Giurgiu (Rumani), Skënderbeu i Korçës, Chernomoretsi (Ukrainë) dhe Arisi (Greqi). Kishte 408 ndeshje në këmbët e tij, prej tyre 41 në Kupat e Evropës me klube dhe 35 paraqitje me Përfaqësuesen e Shqipërisë. Ai ngul këmbë se është larguar nga Prishtina me pajtim të dyanshëm, ndërsa nuk ka mohuar e as pohuar që gjatë periudhës sa ka qenë te kryeqytetasit, e ka dërguar lëndën në FIFA për t’iu shlyer borxhet ndaj tij. Në fakt, ai thotë se sebep për largimin e tij është bërë hapësira e vogël që e ka pasur.
“Largimi ka ndodhur para kohe, por nuk ka pasur asgjë. Në futboll nuk i dihet asnjëherë se çka ndodhë të nesërmen, por duke parë mos aktivizimin tim ka ardhur shkëputja e kontratës. Kur nuk luan në një ekip, sigurisht se nuk është i kënaqur as lojtari e as klubi dhe nuk doja ta merrja kontratën kot”, është shprehur Vangjeli, i cili ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. “Nuk e di se çfarë do të bëj për të ardhmen, nuk e kam vendosur ende. Nuk ka asnjë vlerë edhe sikur ta them se e kam hedhur Prishtinën në FIFA, sepse nuk është se dua të prishi imazhin e klubit. Nuk mund të them asgjë për këtë. Është pak e vështirë kjo periudhë që kaloi dhe ata e dinë se çfarë do të bëjnë në të ardhmen”.