Pasi shprehu interesim për qendërmbrojtësin e Ballkanit, Lumbardh Dellovën, Universitatea Craiova e Rumanisë është duke menduar edhe për përforcimin e sulmit.
Si emër potencial shihet sulmuesi i Prishtinës, Jalen Blesa, ka shkruar mediumi rumun “playsport.ro”.
Lajmin për interesimin e Universitatea Craiovës e ka mohuar drejtori sportiv i Prishtinës, Driton Krasniqi. Megjithatë, ka theksuar se interesimi për Blesan nuk mungon.
“Momentalisht jemi duke biseduar me tri klube nga Evropa, të cilat nuk mund t’i bëj publike. Ka interesim nga Sllovenia, Polonia dhe Rumania. Janë të tjera klube. Ka gjasa që transferimi të ndodhë tani në janar”, ka thënë Krasniqi të shtunën për KOHËN, duke mos zbuluar tjera detaje.
Blesa është 22-vjeçar dhe ka kontratë me Prishtinën deri në përfundim të edicionit.
Edhe
Blesa, futbollisti i radhës që transferohet nga Kosova në elitën rumune
Ai ka realizuar dhjetë gola dhe ka kontribuuar me tri asistime në 17 paraqitje me fanellën e kryeqytetasve.
“Unë jam lojtar i Prishtinës. Nuk kam dëgjuar diçka nga klubi rreth ofertave. Për momentin jam krejtësisht i gatshëm të luajë për Prishtinën”, ka thënë Blesa.
Universitatea Craiova po lufton për titull kampioni në elitën e futbollit rumun dhe aktualisht zë pozitën e tretë me 34 pikë në 21 ndeshje.
Ka shënuar 31 gola dhe 23 të tjerë i ka pranuar.
Çmimi i Blesas aktualisht në treg vlerësohet 250 mijë euro, sipas faqes për statistika të lojtarëve “transfermarkt”.
Prishtina në 18 ndeshje ka grumbulluar 26 pikë dhe zë pozitën e pestë në tabelën e Superligës së Kosovës.
Edhe
Steaua Bukureshti nuk e dëshiron Blesan