Klubi me më së shumti trofe në Rumani, Steaua Bukureshti, ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit të Prishtinës, Jalen Blesa. Kështu ka raportuar të enjten mediumi rumun “as.ro” dhe “fanatik.ro”. Sipas tyre, ai pritet të jetë zëvendësues i sulmuesit Andrea Compagno.
“Ai është sulmuesi që Gigi Becali e dëshiron në Steaua Bukuresht. Ai është 22-vjeçar dhe makineri e golave. Gigi Becali e ka gjetur zëvendësuesin për Andrea Compagnon, nëse italiani largohet nga FCSB-ja”, ka shkruar mediumi rumun të enjten.
Becali është pronar i skuadrës më të suksesshme rumune dhe po shpreson që ta shesë sulmuesin Compagno për 500 mijë euro. Ndërkohë, sulmuesin 22-vjeçar që është pjesë e Prishtinës dëshiron ta transferojë për 200 mijë euro. Po në Rumani ditë më parë u raportua se për Blesan kishte shprehur interesim skuadra Universitatea Craiova.
Drejtori sportiv i Prishtinës, Driton Krasniqi, kishte mohuar interesimin e kësaj skuadre, por kishte thënë për KOHËN se është një skuadër tjetër nga Rumania që interesohet për të, bashkë me një skuadër nga Sllovenia dhe Polonia. Blesa ka shënuar dhjetë gola dhe ka kontribuuar me tri asistime në 17 paraqitje me fanellën e Prishtinës. Steaua Bukureshti ka 26 tituj kampioni, ndërsa 24 herë është fitues i Kupës së Rumanisë.