Ole Gunnar Solskjaer do të përpiqet të fitojë trofeun e parë si trajner i Manchester Unitedit, në finalen e së mërkurës mbrëma (21:00) në Ligën e Evropës kundër Villarrealit. Solskjaer është i sigurt se triumfi në këtë garë do të jetë shkëndijë për sukses të qëndrueshëm të skuadrës nga “Old Trafford”.
Norvegjezi, tani 48-vjeçar, do të mbahet mend përgjithmonë për golin e tij të fitores kundër Bayern Munichut në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 1999. Solskjaer është i etur të përfshihet edhe më shumë në historinë e pasur të klubit nga Anglia. Pasi e ndihmoi Unitedin të siguronte vend në katër pozitat e para në tabelë në dy sezonet e fundit në Premier League, për herë të parë qëkur Alex Ferguson doli në pension në vitin 2013, Solskjaer shpreson që tani t'i japë fund pritjes katërvjeçare të klubit për trofe. Ai është i bindur se futbollistët e Unitedit do të festojnë të mërkurën mbrëma në Gdansk të Polonisë. Ndeshja mes Villarrealit dhe Manchester Unitedit do të zhvillohet prej orës 21:00 në stadiumin “Stadion Energa Gdansk”.
“Gjithmonë jeni në presion për të fituar trofe te Manchester Unitedi. Progresi që e kemi bërë në kampionat është dëshmi se po ecim përpara. Ndërsa hapi tjetër është të fitojmë këtë trofe të Ligës së Evropës përpara se të sfidojmë titullin e kampionit në Premier League”, insistoi Solskjaer. “Fitimi i këtij trofeu mund t’i japë besim të madh ekipit, i cili është shumë i uritur për sukses. Jam optimist se do ta ngremë trofeun në Gdansk. Besimi është i madh se mund ta fitojmë këtë finale, pasi ky do të jetë një paralajmërim për suksesin afatgjatë te Manchester Unitedi”.
Katër gjysmëfinalet e para të Solskjaerit si trajner i Unitedit përfunduan me humbje, përfshirë këtu edhe atë nga Sevilla sezonin e shkuar në Ligën e Evropës, të cilën garë e fitoi ekipi nga La Liga.
Unitedi u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve këtë edicion, pavarësisht se fitoi tri nga katër ndeshjet e para. Kështu u rrit presioni mbi Solskjaerin, ndërsa zërat u shfaqën rreth një lëvizjeje të mundshme të klubit për Mauricio Pochettinon.
Edhe
Solskjaeri i përkushtuar për ta fituar trofeun e parë me Unitedin
Unitedi pati start të dobët këtë edicion, duke tubuar vetëm dhjetë pikë në nëntë ndeshjet e para, që ishte starti më i keq në kampionat që nga edicioni 1986/87. Por për mrekulli, ekipi i Solskjaerit u rikthye fuqishëm për të përfunduar nënkampion i Anglisë. Prejse Solskjaer zëvendësoi Jose Mourinhon në postin e trajnerit, në dhjetor të vitit 2018, Unitedi ka treguar përmirësim gradual. Përfundoi i gjashti, pastaj i treti dhe sezonin e fundit doli i dyti.
“Ne kemi punuar së bashku dy vjet e gjysmë dhe kemi bërë një hap me kualifikimin në këtë finale. Për të arritur në finale është gjë e madhe, por finalja duhet të fitohet dhe jemi gati për ta bërë një gjë të tillë”, shtoi Solskjaer. “Kur fituam në vitin 1999 në Ligën e Kampionëve ne si grup besuam në forcën tonë dhe e fituam titullin e kampionit të Anglisë edhe për dy sezonet e ardhshme”.
Unitedi po e kërkon suksesin e dytë në Ligën e Evropës, përkatësisht triumfin pas katër vjetësh. Vetëm tre startues nga fitorja 2:0 ndaj Ajaxit në finalen e vitit 2017 kanë mbetur në ekip - Paul Pogba, Marcus Rashford dhe Juan Mata - me Unitedin që kërkon t’i japë fund pritjes më të gjatë pa trofe që nga vitet ‘80.
“Kjo lojë është e rëndësishme për ne. Ne jemi shumë afër të qenit një skuadër që mund të garojë dhe të fitojë trofe çdo sezon. Ndoshta triumfi në Ligën e Evropës mund të na japë atë shtytje që na nevojitet”, tha sulmuesi Rashford.
Solskjaer deri në momentet e fundit para fillimit të ndeshjes do ta presë kapitenin Harry Maguire, i cili me shumë gjasa do të mungojë për shkak të lëndimit të pësuar para dy javësh.
Një pengesë tjetër në rrugën e Unitedit për triumf në Ligën e Evropës është Unai Emery. Trajneri spanjoll e ka fituar tri herë këtë garë me skuadrën e Sevillas dhe kjo është finalja e tij e pestë. Villarreali këtë sezon ka treguar formë fantastike në Ligën e Evropës, pasi nuk di për humbje në 14 ndeshje rresht. Të katër takimet e mëparshme midis Unitedit dhe Villarrealit kanë përfunduar pa gola. Një rezultat i ngjashëm është plotësisht i besueshëm në Poloni, por këtë herë do të ketë një fitues.
“Do të jetë finale e veçantë. Ka qenë një udhëtim fantastik këtë edicion, të cilin duhet ta mbyllim me trofe”, paralajmëroi Solskjaer.
Njëri prej lojtarëve kryesorë te Villarrealit këtë sezon, Alfonso Pedraza ka insistuar se ekipi i tij e ka rastin ideal për ta fituar trofeun e kësaj gare në tentimin e katërt. Në tri herët e mëparshme, Villarreali është eliminuar në gjysmëfinale, së fundi në edicionin 2015/16. Trofeun e fundit Villarreali e ka fituar në vitin 2004 në kuadër të “Intertoto Cup”, garë tashmë e shuar nga UEFA.
Edhe
Solskjaer i interesuar të kthehet tek Unitedi
“Kjo finale ka ardhur në momentin e duhur për ne, pasi kemi treguar formë të mirë dhe duam ta mbyllim sezonin me trofe. Entuziazmi është i madh brenda ekipit pasi të gjithë po duam të dalim fitues nga kjo finale”, ka thënë Pedraza. “Do të jetë një ndeshje e fortë. Ne kemi avantazhet tona dhe do t’i shfrytëzojmë. Prej fillimit të ndeshjes do ta kërkojmë golin”.
Edicionin 2020/21 skuadra e Villarrealit e ka përfunduar në pozitën e shtatë në La Liga.