Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Solskjaeri i përkushtuar për ta fituar trofeun e parë me Unitedin

Manchester, 22 dhjetor (Reuters) – Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, shpreson ta marrë në duart e tij trofeun e League Cup, që do të mund të shërbejë si një ogur për të fituar më shumë trofe në të ardhmen, ndërsa ekipi i tij po përgatitet për ndeshjen çerekfinale kundër Evertonit.

Manchester Unitedi triumfoi për herë të fundit në League Cup në vitin 2017 nën drejtimin e ish-trajnerit Jose Mourinho, ndërsa skuadra e Solskjaerit u eliminua në gjysmëfinale vitin e kaluar nga rivali i qytetit, Manchester City, që edhe triumfoi në fund. Solskjaeri ka pranuar se dëshiron me çdo kusht një trofe këtë sezon dhe tashmë syrin ia ka vënë kësaj gare.

“Jo vetëm ekipi, por edhe unë jam i përkushtuar për të marrë një trofe në duart e mia. Ky do të ishte trofeu i parë si trajneri i Manchester Unitedit dhe besoj se do ta motivonte ekipin për të fituar edhe trofe të tjerë. Besoj se mund të bëjmë diçka më shumë në League Cup sepse jemi afër”, është shprehur Solskjaeri në prag të ndeshjes kundër Evertonit që luhet të mërkurën në stadiumin “Goodison Park”. "Ne duam të jemi më të suksesshëm sesa edicionin e shkuar në këtë garë dhe natyrisht që kualifikimi në finale është synimi ynë. Mirëpo, synimi i madh mbetet trofeu, sepse për mua vetëm kjo ka rëndësi”.

Solskjaeri ende nuk ka fituar trofe që nga emërimi i tij si trajner i Manchester Unitedit në vitin 2018. Ish-sulmuesi norvegjez gjatë karrierës si futbollist ishte pjesë e Manchesterit, ekip për të cilin luajti për më shumë se një dekadë (1996-2007) dhe shënoi 91 gola në 235 paraqitje në të gjitha garat. Ai ende e ka të freskët kujtimin kur për herë të parë e ngriti trofeun e League Cup në vitin 2006, kur pati triumfuar Manchester Unitedi.

“E mbaj në mend që ky ishte trofeu im i parë në këtë garë, që njëherësh paralajmëronte edhe fundin e karrierës sime. Së bashku me mua, këtë trofe për herë të parë e fituan edhe Patrice Evra e Nemanja Vidiq”, shprehet Solskjaeri. “Kështu që nëse e fitoj këtë trofe jam më se i bindur se sukseset e tjera nuk do të më mungojnë. Ky trofe do t’i jepte më shumë këtij ekipi”.

Dueli ndërmjet Evertonit dhe Manchester Unitedit zhvillohet në mbrëmje (21:00), kurse për herë të parë në ekipin e Solskjaerit është kthyer mesfushori Jesse Lindgard. Ai i ka munguar ekipit që nga muaji shtator. Lindgardi këtë edicion ka luajtur për Manchesterin vetëm në League Cup dhe i ka humbur ndeshjet e tjera për shkak të vetizolimit pas infektimit me koronavirus.

Edhe Unitedi shpreson t’i japë fund pritjes për trofe Sport Unitedi shpreson t’i japë fund pritjes për trofe

“Edhe kthimi i Lindgardit në ekip është një sinjal që mund të fitojmë. Deri më tash, Lindgardi ka qenë i pafat, por besoj se ndaj Evertonit do të na ndihmojë shumë. Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe të motivohemi për duelet e tjera që na presin në League Cup. Ky është trofeu më i shpejtë që mund ta kapim dhe për këtë arsye po insistoj në të”, tha ai. “Në këtë kupë kemi treguar ndeshje të mira, të cilat kemi filluar t’i tregojmë edhe në kampionat”.

Pas 13 xhirove të zhvilluara, Manchester Unitedi zë vendin e tretë në tabelë me 26 pikë të mbledhura, katër më pak se Liverpooli që është lider. Megjithatë, Unitedi ka një ndeshje më pak të luajtur.