Sport

Unitedi mbështetet te Rashfordi për derbin e Manchesterit

Ndërsa shumica e lojtarëve po mundohen të rikthehen fuqishëm në klubet e tyre pas një Botërori rraskapitës, Marcus Rashford i Manchester Unitedit nuk ka humbur kohë, duke shënuar në çdo ndeshje që nga kthimi i tij për të çuar numrin e golave të këtij sezoni në 15 sosh.

25-vjeçari ka shënuar shtatë herë në gjashtë ndeshje në tri gara të ndryshme për të udhëhequr Unitedin në top katërshen në Premier League, raundin e katërt të Kupës FA dhe gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.

Rashford u bë gjithashtu lojtari i parë që nga golashënuesi më i mirë i klubit, Wayne Rooney në 2010, që shënoi në tetë ndeshje radhazi në shtëpi për Unitedin me dy golat e shënuar në fitoren 3:0 të së martës ndaj Charlton Athleticut. Kjo nuk është aspak keq për një sulmues që ishte mjerisht jashtë formës sezonin e kaluar dhe shënoi vetëm pesë herë në të gjitha garat.

“Nëse ai ruan fokusin dhe vazhdon të bëjë përpjekje, ai do të vazhdojë të shënojë gola në secilën ndeshje që do ta luajmë deri në fund të sezonit”, tha trajneri Erik ten Hag të mërkurën. “Ajo që tani po shihni te Rashfordi, është mjaft e qartë. Nuk ishte në formë në fillim të sezonit, por tani ai është në momentin e duhur dhe po na ndihmon shumë”.

Kthimi në formë i Rashfordit nuk është rastësi dhe dy faktorë kryesorë kanë kontribuar në rilindjen e tij - largimi i heroit të kthyer në të padëshiruar në klub, Cristiano Ronaldos, dhe emërimi i Ten Hagut në krye të ekipit. Ardhja e Ronaldos në vitin 2021 në “Old Trafford” u pa si një transferim i kotë, pasi Unitedi nuk ishte një skuadër që kishte vështirësi për të shënuar gola, ndërsa Rashford ishte gjithashtu në rritje duke përfunduar një sezon të dytë radhazi me mbi 20 gola. Por, edhe pse Ronaldo shtoi numrin e golave të tij në 24, pjesa tjetër e skuadrës vuajti pasi Unitedi sezonin e kaluar pati totalin e pikëve më të keq ndonjëherë në Premier League. Erdhi trajneri Ten Hag, i cili vendosi ligjin shumë herët, e la në stol Ronaldon e plakur dhe ndryshoi stilin e lojës për të marrë më të mirën nga të gjithë lojtarët në fushë. Ronaldo mbeti rezervist, por Unitedi ngadalë filloi të fitonte përsëri ndeshjet dhe largimi i sulmuesit portugez ngriti shumë dyshime mbi klubin që kur humbi kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Çështjet disiplinore shënuan fundin për Ronaldon, i cili u mërzit nga qëndrimi në stol, por Rashford e ka pranuar me mirësjellje dënimin, i cili doli të ishte në favor të tij. Sulmuesi anglez u la jashtë formacionit titullar kundër Wolverhamptonit muajin e kaluar pasi humbi një takim të ekipit, por, në vend që të dorëzohej, ai u fut nga pankina dhe shënoi golin e fitores (1:0).

“Ne vendosim një vijë nën të dhe vazhdojmë, unë u vonova pak për një takim. Kam fjetur shumë, por mund të ndodhë”, tha Rashford. “Natyrisht që janë rregullat e ekipit, kam bërë një gabim, por e kuptoj vendimin”.

Që nga humbja 6:3 nga Manchester City në muajin tetor të vitit të shkuar, United ka fituar 15 nga 18 ndeshjet që i ka pasur, duke regjistruar vetëm një disfatë. Me orarin e ngjeshur të ndeshjeve, seria pozitive e Unitedit prej tetë ndeshjeve pa humbje, do të vihet në provë kur skuadra e Cityt do ta vizitojë në stadiumin “Old Trafford” të shtunën. Sulmit të Cityt i prin norvegjezi Erling Haaland, i cili ka dëshmuar më shumë se që duhet vlerat e tij me 27 gola në 22 ndeshje, ndërsa Unitedi nuk arriti të sigurojë një sulmues në treg dhe ende është në kërkim për një të tillë. Por me Rashfordin në formë, trajneri Ten Hag ka një sulmues të vendosur dhe të besueshëm teksa Unitedi synon të forcohet në top katërshe dhe të kthehet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

“Është një test i vështirë pasi përballë kemi Manchester Cityn, por jam gati edhe për këtë ndeshje”, insistoi Rashford.