Edicioni 2022/23 në futbollin anglez do të mbyllet me finalen e Kupës FA ndërmjet Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit. Kjo finale luhet të shtunën prej orës 16:00 në “Wembley Stadium”. Është hera e parë në historinë e Kupës FA, që në finale përballen ekipet e qytetit të Manchesterit.
Të dyja ekipet synojnë që edicionin e futbollit anglez ta mbyllin me dy trofe të fituar. City është kampion i Anglisë, ndërsa Unitedi në fillim të këtij viti triumfoi në Kupën e Ligës. Kjo ndeshje për Unitedin ka të bëjë më shumë se vetëm për ta fituar edhe një trofe në edicionin e parë të trajnerit Erik ten Hag në krye të ekipit. Ka të bëjë me ruajtjen e statusit të Unitedit si skuadra e vetme angleze që ka fituar tripletën – Premier Leaguen, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve – në të njëjtin edicion (1999).
Manchester City është vetëm dy fitore larg nga përsëritja i asaj arritjeje të Unitedit. Tashmë ka fituar titullin e Premier Leagues dhe ka rezervuar vendin në finalen e Ligës së Kampionëve, kundër Interit në Stamboll më 10 qershor.
Fakti që Unitedi mund të prishë planin e Cityt për ta fituar tripletën e bën finalen e Kupës FA edhe më interesante. City vlerësohet favorit i madh ndaj Unitedit, bazuar në formën që e ka treguar kohët e fundit. Ia ka rrëmbyer Arsenalit pozitën e parë në tabelën e Premier Leagues, si dhe eliminoi Bayern Munichun e Real Madridin për t’u kualifikuar në finalen e Championsit për herë të dytë në histori. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola do t’i ketë në dispozicion mesfushorët Kevin De Bruyne e Jack Grealish ndaj Unitedit. Të dy janë rikuperuar nga lëndimet. Për këtë finale Guardiola tashmë e ka konfirmuar një ndryshim në përbërjen e Cityt. Ai ka thënë se Stefan Ortega do të startojë në portë në vend të Edersonit. Ortega ishte titullar te City në tri ndeshjet e fundit kampionale dhe nuk ka pësuar asnjë gol këtë edicion në Kupën FA.
“Para se të mendojmë për trofeun e dytë të edicionit më duhet të pranoj se kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Unitedi ka treguar paraqitje të mira dhe ka ndryshuar shumë nën drejtimin e trajnerit të ri. Do të jetë një duel shumë i vështirë, por ne do të përpiqemi të luajmë lojën tonë që e kemi luajtur kohët e fundit. Pra, të vazhdojmë me të njëjtin ritëm në mënyrë që të jemi edhe më të përgatitur për finalen e Championsit”, ka thënë Guardiola. “Gjatë kohës sime kemi pasur rezultate shumë të mira ndaj Unitedit, ndonëse rivali kishte lojtarë cilësorë. Shpresoj që edhe këtë herë të kalojmë mirë”.
Para se të mposhtej 1:0 vikendin e shkuar nga Brentfordi, në xhiron e fundit të kampionatit, City ka pasur një seri prej 25 ndeshjeve pa humbje, duke i fituar 20 prej tyre.
Ndërkohë, Unitedi ka triumfuar në katër ndeshjet e fundit kampionale duke pranuar vetëm dy gola. Gjithashtu Unitedi e ka fituar duelin e fundit ndaj Cityt, 2:1 në “Old Trafford” në muajin janar. Për dallim prej Cityt, skuadra e Unitedit pritet të ketë mungesa të theksuara në finale. Braziliani Antony është në dyshim për shkak të lëndimit, ndërsa tashmë është konfirmuar mungesa e sulmuesit tjetër, Anthony Martial.
“Antony do të jetë një mungesë e madhe, por pavarësisht kësaj mendoj se kemi një ekip të mirë që mund të përballet me Cityn. Sigurisht që duam të fitojmë dhe të marrin trofeun e dytë këtë edicion. Nuk ka të bëjë me faktin se duam ta ndalim Cityn të mos fitojë tripletën, por thjesht kemi dëshirë që edicionin ta mbyllim si triumfues. Kemi një mundësi të mirë dhe nuk duam ta lëshojmë nga duart. Kemi vuajtur shumë për të ardhur deri këtu dhe duhet ta fitojmë këtë finale”, tha Ten Hag.
Fjala “Manchester” tashmë është gdhendur në trofe, për të nxjerrë në pah natyrën unike të kësaj finaleje. Është e 142-a në garën më të vjetër me sistem eliminimi në botë. Pritet të ketë kaos sa i përket udhëtimit për në stadium për shkak të grevave hekurudhore, që do të thotë se nuk do të ketë shërbime treni midis Manchesterit dhe Londrës të shtunën.
Federata e Futbollit e Anglisë ka siguruar 120 autobusë – nga 60 për secilin ekip - për të ndihmuar në transportin e tifozëve të Cityt dhe Unitedit.