Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Unioni e pret Bayernin e lënduar nga dueli i fundit

Union Berlini do të luajë kundër liderit të Bundesligës, Bayern Munichut, që u turpërua në ndeshjen e fundit në Kupën e Gjermanisë.

Bavarezët e pësuan disfatën më të thellë në Kupë në mesjavë nga Borussia Monchengladbach, që triumfoi me rezultatin 5:0.

Union Berlin – Bayern Munich zhvillohet të shtunën në orën 15:30.

Vendësit janë mirë në renditje. Zënë pozitën e pestë me 16 pikë, vetëm një më pak se pozita e katërt që mbahet nga Bayer Leverkuseni.

Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Taiwo Awoniyi, e ka marrë vëmendjen më të madhe te kjo skuadër me shtatë gola të shënuar në nëntë paraqitje në Bundesligë.

Bayern Munichu, pavarësisht rikthimit të Alphonso Daviesit dhe Leon Goretzkas, ishte vetëm hija e skuadrës që shkatërroi skuadrat si Bayer Leverkusen, Benfica e Hoffenheim me 13-të gola të shënuar e vetëm një të pranuar.

Mos shënimi i as një goli të vetëm kundër Gladbachut në Kupë ndodhi për herën e parë në 85 ndeshje garuese. Një gjë e tillë i kishte ndodhur kundër Leipzigut në shkurt të vitit 2020, kur Robert Lewandowski me shokë nuk kishin shënuar në barazimin pa gola.

Lewandowski pritet të luajë në ndeshjen e tij të 360-të në Bundesligë. Ka realizuar 287 gola e 72 asistime, ndërsa 10-të gola i ka shënuar në edicionin e sivjetmë.

Bayern Munichu ka shënuar të paktën një gol në 56 ndeshjet e fundit në Bundesligë.

Artikuj të ngjashëm