Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, e ka vlerësuar mrekulli mbijetesën në kampionatin italian, Serie A.
Ujkani ishte në portë të dielën në përballjen që Torino e barazoi në shtëpi ndaj Beneventos 1:1.
Pjesë e Torinos është edhe mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda.
“Viti 2020 ishte shumë negativ, por që nga janari i këtij viti kemi filluar fuqishëm dhe kemi arritur rezultate të rëndësishme. Ne kemi arritur të shpëtojmë dhe është si një mrekulli për ne. Nuk ishte e lehtë për shkak se kemi hasur në situata të vështira shkaku i koronavirusit. Gjithmonë mungonte dikush dhe nuk ishte e lehtë”, ka thënë Ujkani, njofton “toro.it”.
Ujkani 32-vjeçar këtë edicion luajti vetëm një ndeshje për Torinon, atë kundër Beneventos të dielën mbrëma.