Përfaqësuesja e Uellsit në futboll po shqyrton një ndryshim emri pas kampionatit botëror “Katari 2022”. Federata e Futbollit e Uellsit dëshiron t'i quajë ekipet e saj “Cymru” në nivel ndërkombëtar. “Cymru” është emri lokal për Uellsin dhe Federata synon ta paraqesë atë në nivel ndërkombëtar.
Bisedimet për një ndryshim të tillë do të rriten pas kampionatit botëror “Katari 2022”, që nis më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor.
Përfaqësuesja e Uellsit do të paraqitet në Kupën Botërore për herë të parë që nga viti 1958.
“Ekipi duhet të quhet gjithmonë ‘Cymru’, pasi ky është emri me të cilin ne e quajmë këtu”, tha Noel Mooney, shefi ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Uellsit. “Pikëpamja jonë është se brenda vendit ne quhemi qartë ‘Cymru’. Kështu i quajmë ekipet tona përfaqësuese. Nëse shikoni faqen tonë të internetit, si flasim për veten tonë, ne jemi shumë ‘Cymru’”.
Mooney tha se ideja për emrin e ri është përkrahur nga të gjithë dhe hapat konkretë do të shihen pas Botërorit. Sipas tij, nuk duan që tani të merren me këtë çështje për ta ngarkuar ekipin i cili po përgatitet për të pasur një paraqitje sa më të mirë në Katar.
“Në nivel ndërkombëtar ne mendojmë se kemi akoma më shumë punë për të bërë. Pra, ne do të shkojmë në këtë botëror si Uellsi. Por mendoj se 2023-ta do të jetë viti kur do të kemi një diskutim të mirë me të gjithë akterët”, insistoi Mooney. “Kështu që gjasat janë të mëdha që prej vitit të ardhshëm Uellsi të njihet edhe në nivelin ndërkombëtar me emrin ‘Cumry’”.
Çështja për ndryshimin e emrit u aktualizua këtë muaj kur Uellsi u vendos në të njëjtin grup kualifikues me Turqinë për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Turqia tani garon në skenën ndërkombëtare si “Turkiye”, emri i saj turk dhe jo versioni i anglishtes.
Mooney zbuloi se ka pasur “diskutime jozyrtare” me UEFA-n në ngjarje të ndryshme se si Turqia dhe të tjerët kanë mundur të ndryshojnë emrat e tyre.
"Ne kemi pyetur se cili është drejtimi me emrin që e kanë vendosur ekipet e tjera, bazuar në gjuhën e tyre. Për shembull, a ka një lëvizje drejt njerëzve që përdorin gjuhën e tyre indigjene?” tha Mooney. “Ajo që di është se ka një rilindje të gjuhës uellsiane dhe një ndjenjë krenarie të madhe për atë që bëjmë me kulturën dhe trashëgiminë. Duke u nisur nga ky fakt ne kemi shprehur interesim dhe hapa konkretë për ta ndryshuar emrin në gjuhën tonë”.
Përfaqësuesja e Uellsit ndeshjen e parë në kampionatin botëror “Katari 2022” do ta zhvillojë më 21 nëntor kundër SHBA-së. Uellsi është pjesë e Grupit B, të cilin e përbëjnë edhe Anglia e Irani.