Mesfushori i West Ham Unitedit, Declan Rice, është suspenduar për dy ndeshje nga UEFA pas deklaratave të dhëna për gjyqtarin pas disfatës që skuadra e tij e pësoi nga Eintracht Frankfurti në Ligën e Evropës.
Futbollisti anglez akuzoi gjyqtarin Jesus Gil Manzano për “korrupsion”, sipas videos së publikuar e cila ishte incizuar brenda në tunel të stadiumit më 5 maj.
Trajneri David Moyes dhe mbrojtësi Aaron Cresswell, ishin përjashtuar nga loja në humbjen 1:0 të pësuar në Frankfurt.
Moyes është dënuar me një ndeshje.
Ndërkohë, West Hami është dënuar me 1500 funte për shkak se tifozët e ekipit përdorën fishekzjarrë. Dënim ka marrë edhe skuadra e Frankfurtit.
Frankfurti duhet ta luajë një ndeshje pa praninë e shikuesve dhe është dënuar me 69 mijë funte.