Rusisë i është ndaluar pjesëmarrja në Evropianin e këtij viti në futboll në konkurrencë të femrave, ndërsa po ashtu klubet ruse nuk do të mund të garojnë në garat e UEFA-s edicionin e ardhshëm.
Këto vendime janë marrë nga UEFA të hënën, ndërsa janë sanksione të reja si rrjedhojë e pushtimit rus të Ukrainës.
UEFA ka bërë të ditur se nuk do të merren parasysh as kandidaturat e Rusisë për të organizuar Evropianin 2028 apo atë 2032.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt, ndërsa shumë federata sportive kanë marrë masa për të sanksionuar Rusinë.
Në shkurt, klubet ruse dhe përfaqësueset në futboll u suspenduan nga FIFA dhe UEFA.
Të hënën, UEFA ka bërë të ditur se Portugalia – që humbi nga Rusia në plejof për Evropianin 2022 në konkurrencë të femrave – do ta zëvendësojë Rusinë në Evropian që nisë në korrik.
Po ashtu Përfaqësuesja e Rusisë në konkurrencë të femrave nuk do të lejohet të garojë në eliminatoret për Botërorin 2023, ndërsa Përfaqësuesja e Rusisë në konkurrencë të meshkujve nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve në edicionin 2022-2023.
Automatikisht Rusia do të renditet në pozitën e fundit në Grupin 2 të Ligës B, dhe nënkupton se do të bie nga Liga B.