Shumica e pakove të mikpritjes për ndeshjet e Kampionatit Evropian që do të luhen në stadiumin “Wembley” të Londër mbesin të pashitura, kur kanë mbetur edhe pak ditë para fillimit të këtij turneu. UEFA ka thënë se shumë vende do të vihen në dispozicion të tifozëve nëse ato bileta VIP nuk shiten deri në fillim të javës së ardhshme. Bëhet e ditur se shumica e këtyre biletave kanë mbetur në dispozicion për t’u blerë.
Në fakt, biletat janë shitur vetëm për njërën prej shtatë ndeshjeve që do të zhvillohen në “Wembley”, atë ndërmjet Anglisë dhe Skocisë që do të zhvillohet më 18 qershor në kuadër të Grupit D. Në stadiumin “Wembley” do të luhen tri ndeshjet e Anglisë në fazën e grupeve, një ndeshje e 1/8 së finales, një e çerekfinales, dy gjysmëfinalet dhe finalja. Pakot që fillojnë me një çmim prej 1500 eurosh janë në dispozicion për ndeshjet e Anglisë kundër Kroacisë dhe atë ndaj Çekisë, ndërsa çmimet për ndeshjet e tjera që janë në dispozicion për fazën e nokautit nisin prej 5200 eurove dhe shkojnë deri në 9100 për ndeshjen finale. Mungesa e interesimit për biletat e nivelit të lartë mund të shpjegohet nga një numër faktorësh, sipas UEFA-s, përfshirë kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare dhe mungesën e zonave të argëtimit gjatë pandemisë.
Sidoqoftë, kjo vjen në një kohë kur shumë tifozë që menduan se kishin siguruar biletat, u informuan se kanë humbur vendet e tyre për shkak të distancës sociale.
UEFA ka refuzuar ta konfirmojë numrin e saktë të biletave që kanë mbetur në dispozicion, por një burim brenda këtij institucioni ka pranuar se së shpejti “të gjitha këto vende mund të lëshohen për publikun e gjerë vendës me çmime shumë më të ulëta, në mënyrë që stadiumi të mos jetë i zbrazët”.
Të ardhurat e mundshme nga paketat e biletave janë të rëndësishme për organin drejtues të futbollit evropian, i cili u detyrua të shtyjë turneun për një vit shkaku i pandemisë, dhe shumicën e ndeshjeve të Evropianit do t’i zhvillojë me kapacitet të reduktuar të tifozëve. Grupi i tifozëve “Football Supporters Europe” tha se çdo biletë e papërdorur duhet t'u jepet federatave, të cilat pastaj do t’i shpërndajnë ato te tifozët besnikë.
Edhe
Tifozët pa bileta hyjnë në stadiumin “Wembley”
“Ne do të lobojmë për këtë kauzë, pasi tifozët besnikë e meritojnë një gjë të tillë”, insistoi Matt Willis, njëri prej anëtarëve të këtij grupi.
Federatave pjesëmarrëse në “Euro 2020” u janë dhënë bileta që arrijnë deri në 16 për qind të kapacitetit të stadiumit. Kjo është rreth 3500 bileta për tifozët e Anglisë për secilën ndeshje që zhvillohet në kuadër të fazës së grupeve. Në stadiumin “Wembley” do të lejohen të jenë të pranishëm rreth 22.500 shikues për çdo ndeshje apo 25 për qind të kapacitetit të stadiumit. Gjysma e biletave i shiten publikut të gjerë, me pjesën e mbetur të ndarë midis partnerëve komercialë, mikpritësve dhe “familjes së futbollit” të UEFA-s.