Sport

UEFA do t’i hetojë incidentet në “Ibrox”

UEFA ka konfirmuar se do t’i hetojë të gjitha incidentet që ndodhën gjatë humbjes së Rangersit në shtëpi nga Slavia Praga të enjten në mbrëmje.

Mesfushori i Rangersit, Glen Kamara, ka thënë se është fyer në bazë racore nga qendërmbrojtësi çek i Slavias, Ondrej Kudela, në fund të ndeshjes kthyese të 1/8 së finales.

UEFA fillimisht ka thënë se është e vetëdijshme për atë që ka ndodhur në tunel në fundin e ndeshjes, ndërsa më pas ka njoftuar se do të bëj hetime.

Skuadra e udhëhequr nga Gerrardi, Rangersi, humbi 2:0 dhe u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 3:1, ndërsa me të kuq te vendësit u ndëshkuan Kemar Roofe dhe Leon Balogun.

“Glen Kamara për mua është njësoj si të gjithë të tjerët në dhomën e zhveshjes. I besoj 100% në akuzat që ai i ka lëshuar. Lojtarët përreth e kanë dëgjuar. Do t’i qëndroj afër Glen Kamaras”, ka thënë trajneri Gerrard pas ndeshjes.

Në komunikatën e lëshuar nga Slavia në faqen zyrtare në gjuhën angleze, Kudela e ka pranuar se ka përdorur gjuhë ofenduese.

“E kam thënë nën emocione, por mohoj se kam thënë diçka raciste në ato fjalë”, ka shtuar Kudela.