Federata e Futbollit e Ukrainës ka kërkuar që Anatoliy Tymoshchukut t’i hiqen të gjitha çmimet dhe titujt e fituar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Tymoshchuku është lojtari me më së shumti paraqitje në histori të Përfaqësueses së Ukrainës me 144 ndeshje në nivel ndërkombëtar, prej vitit 2000 deri në vitin 2016. Ish-mesfushori po ashtu ishte kapiten i shtetit të tij për katër vjet, para se t’i varte këpucët dhe të kalonte në zejen e trajnerit dhe të jetë në rolin e ndihmës-trajnerit te Zeniti i Shën Petersburgut për pesë sezonet e fundit. Federata e Futbollit të Ukrainës dëshiron që Tymoshchuku të dënohet për heshtjen e tij në lidhje me pushtimin që Rusia e ka nisur në Ukrainë. E për këtë heshtje, Federata ukrainase ka kërkuar që Tymoshchukut t’i hiqen të gjitha paraqitjet ndërkombëtare dhe t’i anulohet licenca e trajnerit. Një numër i madh i ish-lojtarëve dhe lojtarëve aktualë të Përfaqësueses së Ukrainës kanë dalë publikisht duke e kundërshtuar luftën dhe duke përkrahur civilët, qëkur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin. Mirëpo, Tymoshchuku tani akuzohet se po punon “për klubin e agresorit”.
Federata e Ukrainës po kërkon që 42-vjeçarit t’i hiqen medaljet e fituara me Shakhtar Donetskun dhe të gjitha çmimet shtetërore dhe titujt e nderit që i ka fituar gjatë karrierës si futbollit. E këtë Federata ukrainase e ka konfirmuar edhe nëpërmjet një komunikate në rrjetet sociale.
“Komiteti i Etikës dhe Fair-Playt të Federatës së Futbollit të Ukrainës ka bërë një deklaratë për thyerjet e Kodit të Etikës dhe Fair-Playt nga ish-lojtari i përfaqësueses, Anatoliy Tymoshchuk. I bazuar në Nenin 62 të Rregullave Disiplinore të Federatës së Futbollit të Ukrainës, pas rishikimit dhe verifikimit të informatave nga data 08.03.2022 në thyerjen e mundshme të Kodit të Etikës dhe Fair-Playt nga Tymoshchuk Anatoly Alexandrovich, Komiteti i Etikës e adreson çështjen. Tymoshchuk AA, mars 30.03.1979, 2007, është lojtari me më së shumti paraqitje në ekipin e Ukrainës, kampion i Ukrainës, Gjermanisë, Rusisë dhe fitues i Ligës së Kampionëve, fitues i Superkupës së UEFA-s. Gjatë viteve 2009-2013 dhe 2015-2017, AA Tymoshchuk ka luajtur për rusët e FC Zenitit dhe që nga viti 2017 po punon në klub si trajner. Në kohën kur ish-skuadra e ukrainasit, FC Bayern Munich, publikon deklarime dhe përkrah Ukrainën, Tymoshchuk AA vazhdon ta dëmtojë imazhin e futbollit të Ukrainës dhe e thyen nenin 1.4, pjesën e parë të nenit 4 të Kodit të Etikës dhe Fair-Playt të Federatës së Futbollit të Ukrainës”, thuhet në komunikatë.
Komunikatën e Federatës së Ukrainës e mbështet yllin i skuadrës së Atalantas, Ruslan Malinovskyi. Ai insiston se Tymoshchuku nuk mund të shihet më si legjendë e futbollit në Ukrainë.
“Nuk e di për Tymoshchukun, duhet ta pyesni atë. Vështirë të komentoj por është e çuditshme pse nuk ka reaguar – mendoj se nuk është e drejtë”, ka thënë Malinovskyi, i cili ka luajtur 45 ndeshje për Ukrainën. “100 për qind ai nuk është apo nuk do të jetë më legjendë e futbollit të Ukrainës. Arritjet e tij të mëhershme janë harruar”.
Malinovskyi ishte në mesin e lojtarëve të parë ukrainas që ka reaguar për pushtimin, ndërsa ua shfaqi tifozëve fanellën me shkrimin “jo luftë” kur shënoi për Atalantan në Ligën e Evropës, në duelin kundër Olympiacosit. / goal.com