Sport

Turneu ndërkombëtar “Streetball Kosova 2017” më 1 e 2 shtator në Prishtinë

Më 1 dhe 2 shtator, në Prishtinë do të organizohet turneu ndërkombëtar, “Raiffeisen Streetball Kosova 2017”, i njohur zyrtarisht nga Fiba 3x3.

Të premten më 1 shtator do të garohet për kampionatin e Kosovës dhe 2 vendet e para do të kualifikohen për “Streetball Kosova International 2017” që mbahet ditën e shtunë, më 2 shtator, në sheshin ”Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në garën e së shtunës krahas dy ekipeve kosovare do të marrin pjesë edhe ekipe nga Shqipëria, Mali i zi, Bullgaria dhe Rumania, raporton Sporti në KTV.

Kryetari i Shoqatës së Streetballit të Kosovës, Agon Fehmiu ka folur për detajet e turneut, i vetmi i licencuar në Kosovë.

Risi tjetër në këtë ngjarje është rregullimi i infrastrukturës sportive që e mundëson zhvillimin e një gare ndërkombëtare në vendin tonë.

Nga ana tjetër, drejtori i departamentit të sportit në MKRS, Ibër Alaj ka shprehur gatishmërinë për ndihmë në avancimin e këtij sporti për rininë kosovare.

Në vitin 2017 Streetbolli është pranuar si sport olimpik dhe debutimin e tij do të ketë në lojërat olimpike verore “Tokyo 2020”, po ashtu një dritare e re për sportistët kosovarë në arenën ndërkombëtare.