Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK), ka njoftuar të premten se ka marrë të drejtën e organizimit të garës “IHF Trophy” për zonën e Evropës.
Ky turne i rëndësishëm, do të mbahet në Prishtinë (10-26 tetor) dhe do të organizohet për grupmoshën e juniorëve dhe të rinjve.
FHK-ja, deri më tani ka organizuar shumë ngjarje të tilla, përfshirë edhe garën “IHF Trophy” duke e konfirmuar si nikoqire shembullore. Kjo edhe është arsyeja që IHF-ja ia ka besuar sërish organizimin e këtij turne për zonën evropiane.
“Është ky një tjetër sukses i Federatës së Hendbollit të Kosovës. “IHF Trophy” është garë e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit që ia ka dhënë FHK-së të drejtën e organizimit të ngjarjes së rëndësishme”, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Në këtë garë të rëndësishme janë ftuar Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Irlanda, Moldavia e Malta.
Te Kosova e synojnë suksesin në “IHF Trophy” për Evropë. Fituesi i këtij turneu si te juniorët ashtu edhe të rinjtë, do të kualidfikohet në fazën interkontinentale.
Triumfi në fazën intekontinentale ia siguron pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. Përmes kësaj gare, Kosova U21 vite më parë luajti në Botërorin e mbajtur në Spanjë, duke shkruar historinë.