Hendbolliste të reja nga disa vende do të paraqiten në garën “IHF Trophy” për zonën evropiane që prej të mërkurës e deri të dielën mbahet në Prishtinë. Gara është për hendbollistet e grupmoshës U19 dhe U17, ndërsa ofron një rrugë alternative për të siguruar paraqitjen në kampionatet botërore të këtyre grupmoshave. Në fakt, fituesit e “IHF Trophy” për Evropë kualifikohen për fazën interkontinentale. Dhe fituesit e fazës interkontinentale sigurojnë biletën për Botëror.
Përmes kësaj rruge disa vjet më parë hendbollistët e Kosovës U21 ishin paraqitur në Botërorin në Spanjë. Tani nga gara që për synim ka zhvillimin e hendbollit në vende që këtë sport e kanë më pak të zhvilluar, mund të përfitojnë hendbollistet e reja të Kosovës.
Te grupmosha U17 konkurrenca është më e madhe. Garojnë Kosova, Shqipëria, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Britania e Madhe dhe Gjeorgjia. Në grupin A janë Kosova, Azerbajxhani dhe Bullgaria. Grupi B përbëhet nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Britania e Madhe dhe Malta. Te grupmosha U19 janë vetëm katër përfaqësuese: Kosova, Bullgaria, Britania e Madhe dhe Malta.
Gjatë verës në Prishtinë është mbajtur Kampionati Evropian i Divizionit B për hendbollistet deri 19 vjet. Tani Federata kosovare e Hendbollit e mori përsipër organizimin e një ngjarjeje të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.
Ndeshjet e “IHF Trophy” për zonën evropiane zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në kryeqytet.
Të mërkurën janë pesë ndeshjet e para. Në grupmoshën U17 janë ndeshjet: Bosnjë-Hercegovina – Gjeorgjia (11:00), Shqipëria – Britania e Madhe (13:00), Kosova – Azerbajxhani (17:00). Ndërsa te 19-vjeçaret ndeshjet e së mërkurës janë: Britania e Madhe – Malta (15:00), Bullgaria – Kosova (19:00).
Ekipet përfaqësuese të Kosovës janë mbledhur fundjavën e kaluar dhe kanë ushtruar për disa ditë për ngjarjen tjetër ndërkombëtare që mbahet në Prishtinë. Për shkak të organizimit të garës në Prishtinë dhe konkurrencës jo shumë të madhe, në FHK ka shpresë se Kosova mund të jetë fituese në fund.