Të mërkurën në Tashkent të Uzbekistanit fillon gara IHF Trophy Intercontinental për hendbollistet e grupmoshës U18. Është ngjarje që e organizon Federata Ndërkombëtare e Hendbollit dhe që për qëllim e ka zhvillimin e hendbollit. Por po ashtu shërben për kualifikim në Kampionatin Botëror për të reja, që prej 14 deri më 25 gusht mbahet në Kinë.
Prej gjashtë përfaqësueseve pjesëmarrëse, dy kualifikohen në Botëror. Kualifikohen dy finalistët. Në mesin e tyre shpreson të jetë edhe Kosova U18.
Kosova U18 e përfaqëson Evropën në garën IHF Trophy Intercontinental. Rrjedhimisht vlerësohet favorite.
Kosova U18 është në grupin B së bashku me Uzbekistanin dhe Guatemalën. Ndeshjen e parë e ka me Uzbekistanin, të enjten. Të premten luan me Guatemalën. Të shtunën janë gjysmëfinalet, përkatësisht ndeshjet vendimtare për kualifikim në Botëror. Të dielën është finalja dhe ndeshja për vendin e tretë. Në grupin A janë Nigeria, Guadalupe dhe Kaledonia e Re. Pra përfaqësohen të gjitha kontinentet.
IHF Trophy është rast i dytë për kualifikim në Botëror, përkatësisht rrugë e shkurtër drejt ngjarjes globale. Sa i takon Evropës, në Botëror janë kualifikuar 12 përfaqësueset më të mira të Evropianit U17 të vitit të kaluar. Janë kualifikuar edhe dy përfaqësueset që fituan Evropianët U17 të Divizionit B që u mbajtën vitin e kaluar, përkatësisht Austria e Spanja. Austria e kishte fituar Evropianin B në Turqi, ku kishte garuar edhe Kosova. Kosova U17 ishte e shtata, shumë larg biletës për Botëror. Por përmes IHF Trophy është shumë afër.
Në tetor në Prishtinë, hendbollistet e Kosovës U17 kishin fituar IHF Trophy për zonën evropiane. Garuan edhe Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Britania e Madhe, Azerbajxhani e Shqipëria.
Kështu hendbollistet e Kosovës u kualifikuan për IHF Trophy ndërkontinentale. Ekipi i Kosovës të martën ka arritur në Tashkent.
Edhe
Kosova U18 kualifikohet në Kampionatin Botëror të hendbollit
“Qëllimi është të sigurojmë kualifikimin në Botëror, natyrisht. Shkojmë për të fituar të gjitha ndeshjet. Jemi prej favoritëve dhe këtë duhet ta konfirmojmë me lojëra të mira. Natyrisht ndeshja e parë është shumë e rëndësishme për motivimin e ekipit. Shpresojmë të nisim mbarë dhe të vazhdojmë deri në fund”, ka thënë kryetrajneri i Kosovës U18, Mitat Ferati.
Kosova tashmë ka arritur në Botëror përmes ngjarjes IHF Trophy. Ishin hendbollistët e Kosovës U21 që në vitin 2019 u paraqitën në Botërorin në Spanjë, pasi fillimisht fituan ngjarjen IHF Trophy për Evropë e më pas fazën ndërkontinentale të IHF Trophy. Kosova U21 ishte renditur e parafundit.
Në sportet e tjera ekipore, Kosova ende nuk ka arritur të kualifikohet për në Kampionat Botëror.