Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në Kampionatin Botëror që në muajin gusht mbahet në Kinë. Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16.
Hendbollistet e Kosovës dhe të Nigerisë janë përballur të dielën paradite në Tashkent të Uzbekistanit, në finale të IHF Trophy Intercontinental. Ndeshja ishte betejë e vërtetë. Kishte shumë duele të forta fizike, por hendbollistet kosovare shfaqën më shumë në momente vendimtare dhe siguruan titullin e kampionit si dhe kualifikimin në Kampionatin Botëror. Sipas FHK-së bëhet fjalë për sukses historik.
Në fakt prej sporteve ekipore vetëm përfaqësuesja U21 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në Kampionat Botëror deri më tani. Hendbollistët juniorë janë paraqitur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Spanjë në vitin 2019, ndërsa ishin kualifikuar pikërisht përmes IHF Trophy.
Këtë sukses të dielën e arritën edhe hendbollistet e reja të Kosovës. Dhe tani do të garojnë në Botërorin që prej 14 deri më 25 gusht mbahet në Kinë.
IHF Trophy është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por po ashtu ka ofruar një biletë për Botëror. Kosova në vjeshtë kishte fituar IHF Trophy për zonën evropiane dhe kështu u kualifikua për fazën ndërkontinentale.
Edhe
Kosova U18 kualifikohet në Kampionatin Botëror
Në Tashkent, Kosova U18 fillimisht fitoi ndaj Uzbekistanit me rezultatin 27:21 e më pas ndaj Guatemalës me rezultat 31:12. Në gjysmëfinale e kaloi Kaledoninë e Re, të cilën e mposhti 27:16, të shtunën.
Me Nigerinë në finale u luajt ndeshje shumë e fortë. Takimi nisi më mirë për Kosovën, por më pas nigerianët, që ishin superiore fizikisht u kthyen në lojë. Pas 30 minutave rezultati ishte 10:10. Fillimi i pjesës së dytë u takoi nigerianeve, ndërsa gradualisht Kosova e mori kontrollin për t’u shkëputur në fund dhe për të festuar gjatë.
Diona Dresh u shpall lojtare e ndeshjes. Ajo i shënoi shtatë gola nga tetë tentime. Sara Gjergjaj e organizoi ndeshjen dhe i realizoi pesë gola nga shtatë tentime. Katër gola i kishte Andra Uglani, ndërsa nga tri i realizuan Orgesa Gola e Arjeta Imeraj. Kontribut me pritje të shumta dha portierja Alina Shabani, por edhe të gjitha lojtaret e tjera.
IHF Trophy ishte rrugë e dytë dhe më e shkurtër drejt Botërorit. Si kualifikime të rregullta kanë shërbyer kampionatet evropiane të vitit të kaluar. Kosova ishte e shtata në njërin prej kampionateve të divizionit B, prej të cilit vetëm fituesi avancoi në Botëror. Por përmes IHF Trophy, hendbolli kosovar sërish do të shkruajë histori duke u paraqitur në Kampionat Botëror.
Edhe
Hendbollistet e reja të Kosovës në garë me top-përfaqësueset në Botërorin në Kinë
VIDEO