Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në finale të garës IHF Trophy Intercontinental. Megjithatë nuk e ka siguruar ende kualifikimin në Kampionatin Botëror që mbahet në Kinë gjatë muajit gusht.
Më herët nga Federata e Hendbollit e Kosovës ishte thënë se me kualifikim në finale të IHF Trophy Intercontinental sigurohet bileta për Botëror. Por të shtunën FHK-ja ka njoftuar se për kualifikim në Botëror duhet vendi i parë në IHF Trophy.
“Për kualifikim në Kampionat Botëror, Kosovës U18 i duhet fitorja ndaj Nigerisë në finale. Ndryshimi është kumtuar vetëm të shtunën nga përgjegjësit e IHF-së. Pra nuk mjafton arritja në finale, por vetëm vendi i parë siguron pjesëmarrjen në Botëror”, ka njoftuar FHK-ja.
Në gjysmëfinale, të shtunën paradite në Tashkent të Uzbekistanit, Kosova U18 fitoi bindshëm ndaj Kaledonisë së Re. Ndeshja ishte e barabartë në 20 minutat e parë e më pas Kosova nisi shkëputjen.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:10 për Kosovën. Në pjesën e dytë hendbollistet e reja të Kosovës ishin bindshëm më të mira, për të fituar në fund me shifrat 27:16.
Edhe
Kosova U18 kualifikohet në Kampionatin Botëror të hendbollit
Diona Dresh u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes.
Ajo i realizoi nëntë gola nga 11 tentime. Nga katër gola i shënuan Sara Gjergjaj e Arjeta Imeraj, ndërsa nga tri i kishin Arona Krasniqi e Andra Uglani.
“Vajzat tona janë të përkushtuara që ndaj Nigerisë të japin më të mirën për ta fituar titullin në IHF Trophy dhe për të siguruar paraqitjen historike në Botëror”, ka shkruar tutje Federata kosovare e hendbollit.
Kosova U18 e fitoi Grupin B. Shënoi fitore bindëse ndaj Uzbekistanit dhe Guatemalës.
Nigeria e fitoi Grupin A, ku ishin Kaledonia e Re dhe Guadalupe. Në gjysmëfinalen e parë, Nigeria fitoi 32:28 ndaj Uzbekistanit. Në fakt Nigeria është kualifikuar në Botëror përmes Kampionatit të Afrikës për të reja.
Edhe
Kosova U18 kualifikohet në Kampionatin Botëror
Por nëse eventualisht e fiton finalen ndaj Kosovës, vendin e saj në Botëror e zë përfaqësuesja e radhës në rangim në kampionatin afrikan e jo Kosova si finaliste e IHF Trophy.
IHF Trophy Intercontinental është garë për vendet me hendboll në zhvillim. Megjithatë e siguron edhe biletën për Botëror. Përmes kësaj gare, Kosova U21 ishte kualifikuar në Kampionatin Botëror të juniorëve që u mbajt në Spanjë në vitin 2019. Ishte renditur e parafundit.