Sport

“Streetball Kosova” gati për spektakël

Spektakli do të jetë i garantuar, thanë organizatorët e “Poli Streetball Kosova 2021” gjatë një konference për media të mbajtur të mërkurën në Prishtinë. Edicioni i 22-të i kampionatit të Kosovës në basketbollin “3x3” fillon të premten nga ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryetari i Shoqatës së Streetballit të Kosovës (SHSK), Agon Fehmiu, ka bërë të ditur se do të përgatitet një natë speciale në shenjë respekti edhe për legjendën e basketbollit kosovar, Edmond Azemi, që u pensionua pak kohë më parë.

“Në bazë të ekipeve që janë paraqitur sivjet parashikimet janë të bukura për një garë të fortë. Gara të cilën e organizon ‘Streetball Kosova’ kur klikoni në uebfaqen e FIBA-s 3x3 është e hapur, që do të thotë se ne e kemi për obligim të pranojmë ekipe nga e mbarë bota, qoftë nëse vjen edhe nga Afrika e Jugut duhet ta pranojmë, por këtë vit në mënyrë diplomatike I kemi ikur dhe edicionin e sivjetmë kemi dashur ta mbajmë vetëm me skuadra kosovare për shumë arsye e në radhë të parë që do të jetë nata e Edos”, ka thënë Fehmiu në konferencën për media.

Këtë edicion në “Streetball Kosova 2021” do të marrin pjesë 12 skuadra të ndara në katër grupe me nga tri ekipe, sipas sistemit të FIBA-s në lojën “3x3”. Ndarja në grupe bëhet në mënyrë automatike sipas rangimit të lojtarëve dhe koeficientit të skuadrave në listën e “FIBA 3x3”, kurse numri tashmë është plotësuar. Pasi të kenë zhvilluar ndeshjet secila me secilën, vetëm fituesit e grupeve do të vazhdojnë tutje, saktësisht në gjysmëfinale të këtij edicioni të streetballit.

Ndërkohë drejtoresha e kompanisë Poli në Kosovë, Rabie Simnica, tregoi pse ky brend e mbështeti edicionin e sivjetmë të “Streetball Kosovës”. Sipas saj, kjo kompani e ka ambasador të brendit, yllin e NBA-së, sllovenin Lluka Donçiq, që është pjesë e skuadrës Dallas Mavericks.

“Sivjet jemi të nderuar që jemi pjesë e këtij organizimi e sidomos që e kemi brend ambasador një megayll të basketbollit botëror sikurse Lluka Donçiq. I ftoj të gjithë adhuruesit e streetballit që të premten nga ora 16:00 të vinë dhe të kënaqen me spektaklin e ‘Poli Streetball Kosova 2021’”, tha Simnica

Gjithashtu do të ketë edhe ndeshje revyale të “Meraklive t’Basketit” në nder të Edmond Azemit, basketbollistit me më së shumti trofe në histori të basketbollit kosovar, i cili pas 22 vjetësh karrierë u pensionua. Azemi që ishte kapiten i Sigal Prishtinës për shumë vjet, tani është emëruar në pozitën e drejtorit sportiv.