Edmond Azemit (40) nuk i është kujtuar pas ndeshjes se sa trofe ka fituar me Sigal Prishtinën.
“S’e di cila Kupë me radhë është”, ka thënë kapiteni ikonik i Prishtinës. Ai i është gëzuar edhe një Kupe të Kosovës me Sigal Prishtinën. Për Prishtinën është Kupa e 15-të e Kosovës. Asnjë skuadër nuk i afrohet Prishtinës me kupa të fituara, por edhe për tituj të kampionit.
Trofeun e parë për vitin 2021, Prishtina e siguroi të dielën mbrëma. Në finale të Kupës së Kosovës, në Suharekë, e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultatin 82:76. Në finale Prishtina ka udhëhequr thuajse tërë ndeshjen. Shkëputjen e ka bërë herët dhe ndonëse autsajdere në letër, ka triumfuar në fund.
Amerikani Nigel Johnson, që u shpall MVP, e udhëhoqi Prishtinën në finale. Ai realizoi 21 pikë, 13 kërcime e shtatë asistime. Kontribut të çmuar dhanë edhe amerikanët e tjerë Tevin Mack dhe Seth Leday, por edhe vendorët Fisnik Rugova, Muhamedali Janjeva, Meriton Ismaili dhe Edmond Azemi.
Në letër, Ylli ishte favorit i madh për finale. Ylli ka në përbërje shumë reprezentues të Kosovës dhe të huaj cilësorë. Ylli është i pari në Superligë, ndërsa Sigal Prishtina vetëm e gjashta. Në kampionat, Prishtinës nuk i ka ecur mbarë deri më tani. Në pjesën e parë të kampionatit ka luajtur me vendorë dhe fitoret ishin të rralla. Si zakonisht, Prishtina për pjesën e dytë të edicionit ka angazhuar amerikanë cilësorë dhe kur vjen puna te trofetë si zakonisht është pretendente.
Edhe
Prishtina e nis me fitore edicionin e ri
Në fillim të edicionit, ndonëse vetëm me vendorë, Prishtina kishte fituar Superkupën. Tani fitoi edhe Kupën, ndonëse nga pozita e autsajderit.
Te Ylli janë ngutur pak me parashikime, marrë për bazë se përballë kishin skuadrën e kalitur të fitojë trofe.
“Së bashku drejt historisë. Ajo ka filluar herët, por më në fund sot do të kurorëzohet me fitimin e Kupës. Ky është vetëm fillimi. Në fillim kam thënë që vetëm një është që e merr kupën, Golden Eagle Ylli”, ka shkruar para finales Agron Berisha, drejtor sportiv i Yllit.
Ylli në fund të vitit të kaluar u nda me trajnerin malazias Dragan Radoviq, “për mungesë rezultatesh”. Radoviq më pas u angazhua nga Prishtina dhe tani ka fituar trofeun e parë në basketbollin kosovar.
“E kemi nisur ndeshjen mirë. Më pas e kemi mbajtur ritmin. Uroj lojtarët për fitoren e po ashtu Yllin për paraqitjen”, ka theksuar Radoviq pas ndeshjes.
Fitues të mëdhenj të turneut të Kupës ishin Muhamedali Janjeva e Meriton Ismaili që ishin pjesë e rëndësishme e Prishtinës.
Edhe
Ndonëse janë në pozitën e parafundit, te Prishtina janë të bindur në titull të kampionit
“Është kënaqësi e madhe që kemi fituar Kupën. Kam fituar shumë kupa, por kësaj i gëzohem më shumë pasi kam kontribuuar më shumë. Kemi luajtur mbrojtje shumë të fortë. Çelësi i fitores ishte mbrojtja e fortë”, ka thënë Janjeva.
Për Edmond Azemin është trofeu i radhës prej dhjetëra sa i ka me Prishtinën. Me triumfin në Kupë, Prishtina shpall kandidaturë serioze edhe për plejof, ndonëse mund të startojë prej pozitës së fundit, të gjashtës. Aktualisht Prishtina është e gjashta me 25 pikë. Bashkimi i vendit të pestë i ka 29 pikë.
Azemi ka dhënë kontribut të çmuar në triumf, ndonëse ka luajtur me një lëndim të dorës. Për shkak të lëndimit ishte i kufizuar edhe në gjysmëfinale e çerekfinale.
“Jam shumë i lumtur, jemi angazhuar të gjithë, edhe të rinjtë. Ekipi ka luftuar dhe fitorja është e merituar”, ka theksuar Edmond Azemi.
“Mbrojtja shumë agresive na solli fitoren. Po ashtu, kemi realizuar gjuajte të rëndësishme, sidomos në momentin kur duhej. Shënimi i Fisnik Rugovës në fund ishte shumë i rëndësishëm”, ka shtuar Azemi.
Yllit para kohës triumfin në finale ia kishte uruar edhe trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati. Por edhe prognoza e tij doli e pasaktë.
Edhe
Prishtina vazhdon traditën, fiton Kupën e Kosovës për herë të 15-të
Prishtina pas ndeshjes është ankuar se autobusit të saj i janë thyer xhamat në Suharekë. Sulmin ndaj autobusit e kanë mohuar tifozët e Yllit dhe vetë klubi suharekas.
Tani basketbollistët mblidhen në përfaqësuese, ndërsa pas disa javësh rifillon gara për titull. Prishtina sërish nuk bën të përjashtohet nga gara për më të mirin.