Sport

Prishtina vazhdon traditën, fiton Kupën e Kosovës për herë të 15-të

Sigal Prishtina mund të jetë në krizë në kampionat, por kur vjen puna te trofetë skuadra e kaltër asnjëherë nuk mund të përjashtohet. Ndonëse në pjesën e poshtme në tabelën e Superligës, Prishtina ka fituar trofeun e parë të vitit 2021.

Të dielën Prishtina e fitoi Kupën e Kosovës në basketboll, duke vazhduar të mbledhë trofetë. Prishtina për herë të 15-të e ka fituar Kupën e Kosovës. Është skuadra bindshëm më e suksesshme sa i takon trofeve të fituar.

Prishtina në finalen e luajtur në Suharekë e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultatin 82:76. Kështu Ylli vazhdon të jetë në pritje të trofeut të parë.

Prishtinën drejt triumfit në finale e udhëhoqi Nigel Johnson që realizoi 21 pikë, 13 asistime e shtatë kërcime. 24 pikë e shtatë kërcime i realizoi Tevin Mack. Te Ylli, ku triumfin në finale e kishin vlerësuar punë të kryer, më efikasi ishte Erjon Kastrati me 22 pikë e tetë kërcime. Demetris Morant kishte 10 pikë e nëntë kërcime. 20 pikë i realizoi Elyjah Clark.

Si shumica e ndeshjeve të këtij edicioni, finalja ishte interesante dhe e hapur deri në fund. Por Prishtina megjithatë e mbylli ndeshjen në të mirë të saj dhe mori trofeun e radhës. Prishtina në fillim të edicionit e fitoi Superkupën e Kosovës.