Lokomotiva e Zagrebit ka shënuar fitore të thellë 4:1 në udhëtim te Shibeniku në kuadër të xhiros së 27-të të elitës së futbollit kroat.
Golin e vetëm për skuadrën e Shibenikut e shënoi Eros Grezda në minutën e 14-të, që ishte gol i avantazhit për skuadrën vendëse. Grezda në të kaluarën ka qenë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit.
Lokomotiva e Zagrebit në pjesën e dytë fitoi me përmbysje të rezultatit. Nga minuta e 65-të, deri në minutën e 86-të, vizitorët shënuan katër herë. Golin e katërt dhe të fundit në ndeshje e realizoi Indrit Tuci.
Tuci u inkuadrua në lojë në minutën e 57-të. Jon Mersinaj ishte titullar dhe e kompletoi ndeshjen te Lokomotiva e Zagrebit, kurse Art Smakaj dhe Hajdin Salihu ishin në bankën rezervë.
Grezda te Shibeniku u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Suad Sahiti ishte titullar dhe luajti deri në fund.
Lokomotiva e Zagrebit pas 27 ndeshjeve të luajtura është në pozitën e pestë me 36 pikë, kurse Shibeniku në vendin e tetë ka 26 pikë në 27 ndeshje.