Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tucheli kërcënon edhe një herë ëndrrën e Cityt në Champions

Erling Haaland - Pep Guardiola - Manchester City

Manchester City dhe Pep Guardiola kanë një çështje të Ligës së Kampionëve për ta zgjidhur kundër Thomas Tuchelit, kur trajneri i sapoemëruar i Bayern Munichut viziton stadiumin “Etihad” në ndeshjen e parë çerekfinale të së martës prej orës 21:00.

Tucheli doli fitimtar si trajner i Chelseat në tentimin e parë dhe deri më tani të vetëm të Cityt për të fituar në finalen e Ligës së Kampionëve, në vitin 2021. Kjo ishte gjithashtu ndeshja më e afërt që Guardiola e ka në 10 përpjekje gjatë periudhave te Barcelona, Bayerni dhe City për të fituar kupën e tij të tretë evropiane si trajner.

Fitorja 1:0 e Chelseat në finale përballë Cityt, në “Estadio do Dragao” në Porto dy vjet më parë, ishte një rast kur nxënësi ia kaloi mjeshtrit. Si një trajner i ri, Tuchel studioi dhe admiroi skuadrën dominuese të Barcelonas të udhëhequr nga Guardiola, e cila fitoi 14 trofe në katër vjet nga viti 2008 deri në 2012, duke përfshirë edhe dy tituj të Championsit.

Rrugët e tyre më pas u kryqëzuan gjatë tre vjetëve të Guardiolas te Bayerni, ndërsa Tuchel ishte trajner i Mainzit dhe më pas i Borussia Dortmundit. Të obsesionuar pas futbollit, dy trajnerët folën gjatë natës në një bar të Munihut në vitin 2014, duke përdorur gota për të paraqitur formacionet mbi tavolinën e ndejës.

Tuchel ka respekt të madh për Guardolan, të cilin e admiron në fakt. Respekt ka edhe Guardiola, i cili ka vlerësim të lartë për teknikun gjerman. Guardiola megjithatë insiston se synimi i tij është që të avancojë me Cityn në gjysmëfinale të Championsit.

Edhe Manchester City e Real Madridi premtojnë tjetër mbrëmje spektakolare Futboll Manchester City e Real Madridi premtojnë tjetër mbrëmje spektakolare

“Është një nder që jemi ende në Champions dhe do të përballemi me një ekip elitar si Bayerni. Asgjë nuk është e garantuar, por për të shkuar tutje duhet ta meritojmë. Duhet të luajmë mirë dhe të përpiqemi të marrim një rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë. Jemi munduar sezonin e shkuar, jemi munduar para dy sezoneve, por edhe para tri sezoneve. Çdo sezon jemi munduar, por ekipet janë të forta dhe ato dëshirojnë gjithashtu të fitojnë”, ka thënë Guardiola të hënën në konferencën për shtyp. “I kemi parë ndeshjet e fundit të Bayernit që i ka luajtur nën Thomas Tuchelin dhe mund të them se ai ka bërë një punë të mirë. Ndoshta kundër nesh mund të provojë diçka tjetër, sepse ka cilësi në çdo repart. Do të jetë ndeshje e vështirë, por besoj në paraqitje të mirë”.

Bazuar në duelet e ndërsjella, Guardiola del të jetë më i suksesshëm se Tucheli. Tri fitoret e Chelseat në hapësirën e gjashtë javëve në fund të edicionit 2020/21 janë fitoret e vetme të Tuchelit në 10 takime kundër Guardiolas, i cili ka gjashtë fitore. Por Tuchel fitoi takimin më të rëndësishëm dhe suksesi në Champions luajti një rol të madh në sulmin e Bayernit për të siguruar shërbimet e tij dhe për të shkarkuar Julian Nagelsmann, në një lëvizje shokuese muajin e kaluar. Tuchel gjithashtu e çoi Paris Saint-Germainin në finalen e parë të Ligës së Kampionëve në vitin 2020.

49-vjeçari tani ka sfidën e suksesit aty ku Guardiola dështoi. Synon t’ia kthejë Bayernit lavdinë e Ligës së Kampionëve. Por pesha e pritshmërisë bie shumë më tepër mbi trajnerin e Cityt. Në sezonin e tij të shtatë në Manchester, Guardiola është në garë për titullin e pestë në Premier League. Megjithatë, dështimi për të pushtuar Evropën mbetet një njollë në karrierën e tij të suksesshme tek ekipi anglez.

Qendërmbrojtësi i Cityt, Ruben Dias ka pranuar se dështimet e kaluara e motivojnë skuadrën angleze.

“Sigurisht që zemërimi i së kaluarës është ende me ne dhe është i njëjti. Është një garë e veçantë, sidomos për ekipin tonë. Ne duam të shkojmë deri në fund dhe do të përpiqemi të japim çdo gjë nga vetja. Do të jetë ndeshje e vështirë, por në këtë garë duhet të mposhtësh më të mirët për të triumfuar, andaj jemi gati”, ka thënë Dias. “Ne ende jemi në kërkim të suksesit të parë dhe do të luftojmë për ta arritur. Mund të garantoj se do të luftojmë deri në fund për të avancuar tutje”.

Edhe Ndeshje vendimtare për Bayernin dhe Tuchelin Sport Ndeshje vendimtare për Bayernin dhe Tuchelin

Cityt i është kthyer sulmuesi Erling Haaland, derisa ekipit gjerman i mungon kamerunasi Eric Maxim Choupo-Moting për shkak të lëndimit.

Haaland u rikthye në ndeshjen e fundit ndaj Southamptonit, ku shënoi dy gola në fitoren 4:1. Aktualisht, norvegjezi ka 44 gola të shënuar këtë edicion në të gjitha garat, përfshirë 10 në gjashtë ndeshje të luajtura në Champions. Te Bayerni e kanë parasysh formën e norvegjezit, por insistojnë se janë gati për ta ndalur edhe sulmin e Cityt sikurse atë të Paris Saint-Germainit në 1/8 e finales.

“Manchester City është një ekip shumë i fortë dhe me shumë cilësi. Është e rëndësishme që të paraqitemi si ekip. Të sulmojmë dhe të mbrohemi së bashku, siç bëmë ndaj PSG-së, ku kishte Kylian Mbappen, Lionel Messin dhe Neymarin. Nuk ishte lehtë, por ia dolëm. Kështu që besoj se do të jemi të suksesshëm edhe kundër Cityt”, ka thënë mbrojtësi i Bayernit, Matthijs De Ligt. “E kemi mbajtur shtatë herë rrjetën e pastër dhe kemi tetë fitore në Champions deri më tani. Tash përballemi me një kundërshtar tepër të fortë që ka sulm efikas, por besoj se mund ta vazhdojmë këtë ecuri”.

Të martën prej orës 21:00 zhvillohet edhe një ndeshje çerekfinale e Ligës së Kampionëve. Në Lisbonë, skuadra e Benficas përballet me Interin.

E martë (21:00)

Edhe Guardiola fokusohet në Premier League Sport Guardiola fokusohet në Premier League

Man. City – Bayern M.

Benfica – Inter