Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka kërkuar kujdes të madh në ligë, ani pse shumë njohës të futbollit kanë thënë se një tjetër titull i Premier Leagues është afër të fitohet nga City. Ekspertët po ashtu thonë se Guardiola dhe City duhet të përqendrohen në fitimin e Ligës së Kampionëve për herën e parë.
Për Guardiolën një prej sfidave më të mëdha është që t’i mbajë lojtarët të fokusuar, pas fitores që e arritën 4:1 kundër Arsenalit të mërkurën.
Asgjë nuk është vendosur, ka thënë Guardiola të premten.
City është në vendin e dytë me 73 pikë. Ka dy ndeshje dhe dy pikë më pak se Arsenali. Por është shumë afër që ta mbrojë titullin pas fitores në “Etihad Stadium” ndaj rivalit direkt.
Ndeshjet e mbetura të Cityt janë ndaj West Ham Unitedit dhe Brightonit, të cilat do t’i zhvillojë muajin tjetër. Në rast të fitoreve del në vendin e parë.
Por fillimisht Manchester City duhet ta mposhtë Fulhamin të dielën në udhëtim, në ndeshjen që nis në orën 15:00 dhe i takon xhiros së 34-t të Premier Leagues.
Arsenali ndeshjen e radhës do ta ketë kundër Chelseat. Ky takim luhet të martën në orën 21:00 dhe e mbyll xhiron e 34-t.
Chelsea synon fitoren e parë në pesë ndeshje. Aktualisht ka rezultate dëshpëruese. Në këtë seri të rezultateve, “blutë” kanë vetëm një barazim dhe katër disfata.
Cityn do ta presë punë e vështirë edhe në Ligën e Kampionëve ku do t’i ketë dy ballafaqime me Real Madridin.
Ndeshjen e parë të gjysmëfinales e zhvillon më 9 maj në Madrid. Para atij takimi, City, që synon tre trofe në këtë edicion, do t’i luajë tri ndeshje në Premier League.
Përveç Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve, City është në garë për të triumfuar edhe në Kupën FA.
Guardiola ka thënë se të gjitha ndeshjet do t’i trajtojë si të barabarta.
Për duelin kundër Fulhamit, City nuk do ta ketë mbrojtësin Nathan Ake, që ka zgjatje të muskulit.