Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në vend të tripletës, Bayerni i Tuchelit po shkon drejt eliminimit edhe nga Championsi

(AP) - Kur Bayern Munichu angazhoi Thomas Tuchelin javë më parë, trajneri insistoi se ishte i fokusuar në mundësinë për të fituar tre trofe – Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve.

Kupa është “zhdukur” dhe Bayernit do t'i duhet një rikthim i pabesueshëm për të shpëtuar edicionin në Ligën e Kampionëve, pas humbjes 3:0 nga Manchester City të martën, në ndeshjen e parë çerekfinale. Tuchel është i bindur se rezultati nuk ishte reflektim i vërtetë i lojës dhe se Bayerni kishte momentin e tij ndaj Cityt përpara se një gabim i mbrojtësit Dayot Upamecano të lejonte ekipin anglez ta shënonte golin e dytë në minutën e 70-të.

“Kemi një detyrë të madhe para vetes, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak se duhet ta rikthejmë rezultatin. Ne nuk do të dorëzohemi. Jemi realistë, por nuk do të dorëzohemi. Futbolli është futboll dhe një ndeshje në shtëpi në Gjermani mund të jetë shumë e rëndësishme dhe vendimtare për ne”, insistoi Tuchel.

Ish-trajneri i Chelseat, i cili e mori drejtimin e Bayernit më 24 mars, ka pasur një fillim të vështirë. Bayerni u eliminua nga Kupa e Gjermanisë nga Freiburgu javën e kaluar, për të mbetur pa një trofe të synuar këtë sezon. Mund të ndodhë fare lehtë që të mërkurën e ardhshme Bayerni dhe trajneri Tuchel të vuajnë eliminimin e dytë në po aq javë.

“Edhe pse duket pothuajse e pamundur që të kthehemi, ky është futboll dhe këtu gjithçka mund të ndodhë. Nuk do të lejojmë të eliminohemi lehtë”, tha Tuchel.

Edhe Tucheli nën presion te Bayerni, Dortmundi gati për t’ia rrëmbyer titullin Sport Tucheli nën presion te Bayerni, Dortmundi gati për t’ia rrëmbyer titullin

Tuchel mundi Cityn e Guardiolas me Chelsean në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2021, por ka pak kohë për ta kthyer në formë Bayernin, pas emërimit të papritur muajin e kaluar për të zëvendësuar Julian Nagelsmannin. Për të dërguar ndeshjen e dytë të 19 prillit në vazhdime, Bayernit do t’i duhet të bëjë atë që asnjë skuadër nuk e ka bërë që nga shtatori i vitit 2020, ta mposhtë Cityn me tre gola dallim.

“Nuk ka gjëra të mëdha që duhet të ndryshojnë, por sigurisht se na nevojitet edhe pak fat nëse duam të kemi një rezultat të favorshëm me Cityn”, u shpreh Tuchel.

Një mandat që filloi me premtime të mëdha pasi mposhti Borussia Dortmundin 4:2 në Bundesligë, tani duket i trazuar për Tuchelin. Që nga ajo fitore ndaj Dortmundit, Bayerni është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë pasi u mposht 2:1 nga Freiburgu, mundi të njëjtin kundërshtar 1:0 në ligë dhe më pas humbi nga City.

Ndërkohë, Nagelsmann është në pozicionin që ishte Tuchel vetëm disa javë më parë. Ai po kërkohet nga shumë klube të mëdha të Evropës.

Edhe Tucheli konfirmon largimin nga Bayerni Futboll Tucheli konfirmon largimin nga Bayerni

Përpara ndeshjes së dytë, Tuchel dhe Bayerni do të përballen me Hoffenheimin, një skuadër që po lufton për mbijetesë në Bundesligë. Prej tri garave që Tuchel kishte shpresuar t’i fitonte, tani çdo gjë më pak se titulli i 11-të radhazi i Bundesligës do të shihej si një dështim i madh. Bayerni është dy pikë përpara Dortmundit dhe ndeshjet e fundit të sezonit kanë një ecuri relativisht miqësore. Nga shtatë kundërshtarët e mbetur të Bayernit, pesë janë aktualisht jashtë top-10 dhe vetëm një, Leipzigu, është në një vend që dërgon në garat evropiane.

“Tani nuk ka kuptim të ankohemi dhe të jemi negativ”, tha drejtori i përgjithshëm i Bayernit, Oliver Khan. “Ne i kemi shanset e mëdha për t'u bërë kampionë. Është një garë e ngushtë që do të thotë se nuk mund ta lejojmë veten të zhytemi në mendime të thella. Duhet të rikthehemi të shtunën”.