Në një e-mail të klubit të futbollit Llapi të hënën pasdite, përkatësisht drejtorit të përgjithshëm të klubit, Tahir Batatina, thuhej se në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të marten, nga ora 12:00, do të mbahet një takim i të gjitha klubeve të Superligës. Pika e vetme, siç shkruan në emailin e siguruar nga KOHA, thuhet se është ajo e diskutimit për “Ligjin e sponsorizimit”. Por, vetëm tri klube nga Superliga i janë përgjigjur ftesës për takim nga Tahir Batatina, Avni Haxhiu dhe Shaban Baholli. Ky i fundit përfaqëson 2 Korrikun e Prishtinës, ndërsaHaxhiu skuadrën e Trepçës, që garojnë në Ligën e Parë dhe Batatina klubin e Llapit. Batatina është trajner i Llapit, por në email u është drejtuar klubeve si drejtori i përgjithshëm i klubit të futbollit Llapi. Koordinatori i klubit Trepça, Avni Haxhiu, pranon se vetëm tri klube të Superligës kanë qenë në takim.
“Ishim 20 klube, prej të cilave tri ishin të Superligës, Llapi, Ferizaj edhe Dukagjini. Me telefon na e konfirmuan arsyen e mosardhjes të Ballkanit, por nuk më kanë dhënë kurrfarë përgjigjeje Trepça ’89 e Drenica pastaj nuk është përgjigjur Malisheva. Ky takim është caktuar vonë për shkak të afatit të licencimit më datën 31 mars. Është e mundur që na ka dështuar ndonjë klub dhe më vjen keq. Me ato 20 klube e morëm vesh të shkonim në takim me ministrin, ne tashmë e bëmë kërkesën dhe jemi në pritje të përgjigjes për pritje. Ne i kemi treguar për mbledhjen e mbajtur dhe në emrin e tyre për të biseduar për çështje të ligjit të sponsorizimit. Kjo është arsyeja kryesore pasi kemi kërkuar vetëm sponsorizim, ku përfshihen vërtetimet”, ka thënë Haxhiu për KOHËN.
Në klubin e futbollit Prishtina thonë se nuk kanë pasur ftesë.
“Nuk jemi ftuar asnjëri prej zyrtarëve të Prishtinës në këtë takim”, ka thënë drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, për KOHËN.
Ndërkohë kryetari i klubit Trepça ’89, Abedin Zeka, ka thënë se Batatina, Haxhiu dhe Baholli nuk kanë kompetencë për të folur në emër të klubeve.
“Kjo ftesë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nuk e di çfarë kompetencash kanë. Nuk e di kush i caktoi ata dhe për çfarë arsyeje. A duan të protestojnë kundër shtetit? Nuk jam duke i kuptuar. Nuk marr pjesë në këto organizime. Ne duhet të ballafaqohemi me njerëzit që e kanë sjellë deri në këtë pikë. Nuk mund të flas keq për MKRS-në. Përkundrazi, falënderoj MKRS-në për ligjin më të mirë të rajonit. Do të doja të ballafaqohesha me Bordin Ekzekutiv të Federatës”, ka thënë Zeka për KOHËN.
Në fakt, Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit, i ka njoftuar më herët klubet e futbollit se asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet derisa Federata e Futbollit e Kosovës të pajiset me licencë nga MKRS-ja.
“Ne po kërkojmë t’i lëshojmë vërtetimet dhe kontratat që i kemi bërë me sponsorët mos të dështojnë. Sepse ne si klube ende nuk kemi marrë asgjë me shkrim që nuk mund të bëjmë kontrata pasi nuk do të lëshohen vërtetimet para se të licencohet federata. Nuk kemi pranuar asgjë zyrtarisht sa i përket lëshimit të vërtetimeve dhe kemi pritur që të lëshohen. Garat po vazhdojnë normalisht, pasi Federata ka kërkuar dokumentacionin prej klubeve që jemi në rregull. Para një muaji ka thënë Federata që klubet nuk i kanë plotësuar kushtet, por para dy jave i kemi plotësuar, por ende nuk kemi asgjë, ne vetëm po duam ta pyesim ministrin se si te veprojmë tutje dhe çka është bere me vërtetimet e klubeve”, ka thënë Haxhiu.
Ligji ka hyrë në fuqi që më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Për shkak të ndërlikimeve të shumta nuk ishte zbatuar prej fillimit.
Në fakt sponsorizimet janë bërë edhe burim kryesor i klubeve të futbollit e po ashtu edhe të sporteve të tjera.