Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça pëson nga Peja, i rrezikohet mbetja në Superligë

Trepça ka humbur ndeshje të rëndësishme në garën për të mbetur në Superligën e basketbollit, përkatësisht për të hyrë në plejof.

Të dielën në “Karagaçi”, Trepça pësoi nga Peja vendase me shifrat 84:76. Ndeshja i takoi xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Dy xhiro para fundit, Trepça është e gjashta me 36 pikë. Peja është e katërta me 40 pikë.

Për Pejën ishte fitorja e 14-të, ndërsa për Trepçën humbja e 16-të. Pejanët ishin në epërsi thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe arritën te fitorja.

Lis Shoshi e Brandon Walters ishin më të mirët te Peja. Shoshi kishte 13 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Walters realizoi 17 pikë e 13 kërcime. Më efikasi te Peja ishte kapiteni Dardan Berisha me 24 pikë.

Te Trepça u dallua greku Stavros Toutziairakis me 13 pikë e 12 kërcime. Dino Butorac realizoi 21 pikë, ndërsa Drilon Hajrizi i kishte 18 pikë, dhjetë kërcime e pesë asistime.

Në xhiron e parafundit Trepça e pret Rahovecin, ndërsa në të fundit luan në Prizren ndaj Ponte Prizrenit.