KB Trepça ka triumfuar ndaj Sigal Prishtinës në ndeshjen e mbetur të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, në palestrën “Minatori” të stërmbushur me tifozët.
Në përballjen e luajtur të mërkurën, Trepça triumfoi me rezultatin 80:75.
Kjo ndeshje i takoi xhiros së tretë, por ishte shtyrë për shkak të angazhimit të dy skuadrave në ndeshjet kualifikuese të FIBA Europe Cup.
Me këtë fitore, Trepça, ngrihet në pozitën e dytë në tabelë me nëntë pikë të tubuar.
Ka katër fitore dhe një humbje, të cilën vikendin e shkuar ia shkaktoi Peja. Në anën tjetër, Prishtina regjistroi humbjen e dytë këtë edicion dhe tani ka tetë pikë të mbledhura.
Drilon Hajrizi e udhëhoqi Trepçën drejt triumfit, pasi ndeshjen e mbylli me 21 pikë të shënuara. Ndërkohë, te Prishtina u veçua Jan Palokaj, i cili pati po ashtu 21 pikë në këtë përballje.