Sport

Trepça fiton derbin dramatik ndaj Prishtinës

Vetëm në minutat e fundit të ndeshjes është vendosur ndeshja derbi ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës që u zhvillua në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Fitues në fund dolën basketbollistët e Trepçës. Trepça ndeshjen e xhiros së 16-të të elitës së basketbollit të Kosovës e fitoi me rezultatin 88:85.

Për Trepçën ishte fitorja e nëntë rresht dhe është forcuar në krye të tabelës me 30 pikë pas 14-të fitoreve e dy disfatave, ndërsa Prishtina mbetet në pozitën e tretë me 10 fitore e gjashtë disfata. Ka 26 pikë gjithsej.

“Këtë fitore më së shumti e deshën tifozët dhe fituam me ndihmën e tyre. Na ka munguar energjia dhe atë na e dhanë tifozët. Basketbolli që luajtëm sot ishte krejtësisht diçka tjetër që ne dëshirojmë”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Trepçës, Adis Beçiragiq.

Mitrovicasit çerekun e parë e fituan me rezultatin 22:17, ndërsa periudhën e dytë e fituan me rezultatin 23:18, për të shkuar në pushim me 10-të pikë dallim, 45:35.

Prishtina e fitoi dhjetëminutëshin e tretë me 12-të pikë dallim, 30:18, dhe hyri në çerekun e fundit me dy pikë më shumë, 65:63.

Epërsia në periudhën e fundit të ndeshjes kalonte te të dyja skuadrat, por asnjëra nga to nuk arriti të shkëputej në rezultat.

Dy minuta pa përfunduar i gjithë dueli, epërsia ishte në anën e Trepçës 84:82.

Henrik Shirko i Prishtinës tentoi për tri pikë por gaboi, ndërsa në aksionin tjetër Fisnik Rugova nuk shfrytëzoi rastin që iu dha për të shënuar duke e humbur topin.

Jordy Tshimanga i Trepçës në aksionin vijues shënoi për 86:82. Derrick Wilson ishte i saktë nga vija për tri pikë për 86:85, ndërsa Darnell Edge shënoi pikët e fundit në ndeshje për 88:85. Tentimi i Malcolm Armsteadit për ta barazuar rezultatin ishte i shkurtër dhe ndeshja u mbyll në të mirë të Trepçës.

“Prishtinës i munguan pikët e Dardan Berishës dhe lidershipit që e ka gjatë lojës. Kishim dyshime si të luanim në mbrojtje kur ata shënuan nga vija për tre pikë që edhe e vendosi lojën. Jam i kënaqur me lojën në mungesë të disa basketbollistëve. Lojtarët dhanë më të mirën. Kur të kompletohet ekipi, besoj se do ta ngremë nivelin e lojës dhe do të japim më të mirën”, deklaroi trajneri i Prishtinës, Albert Sylejmani.

Tshimanga ishte më i dalluari në këtë fitore te vendësit me 20 pikë të shënuara e 15-të kërcime.

Kontribut dha edhe Drilon Hajrizi që shënoi 17 pikë, pesë kërcime e dy asistime.

Tmushiq shënoi 14 pikë, kurse Edge e mbylli ndeshjen me 12 pikë.

Te Prishtina, Wilson shënoi 21 pikë, ndërsa pati edhe katër kërcime e shatë asistime, kurse Armstead realizoi 19 pikë, katër kërcime e po aq asistime.

Shirko pati 15 pikë, kurse Steven Davis e mbylli ndeshjen me 14 pikë.