Sport

Trepça fiton bindshëm derbin e zjarrtë ndaj Pejës

Skuadra e Trepçës ka triumfuar ndaj Pejës në derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll. Trepça fitoi bindshëm me shifrat 91:71, të shtunën, në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë.

Me këtë fitore, Trepça ia shkaktoi Pejës humbjen e dytë këtë edicion dhe tani të dyja skuadrat kanë nga 16 pikë dhe nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Mitrovicasit ishin më të mirë dhe dominuan gjatë gjithë takimit, pasi i fituan të gjithë çerekët e ndeshjes.

Trepça e nisi më mirë ndeshjen dhe çerekun e parë, e mbylli me një epërsi prej katër pikëve – 21:17.

Periudha e dytë ishte më e barabartë, ndonëse Trepça e fitoi 15:14 për të shkuar në pushim me rezultatin 36:31.

Shkëputjen në rezultat, skuadra mitrovicase e bëri në çerekun e tretë që e fitoi 29:21 dhe në dhjetë minutat e fundit të takimit, epërsinë prej 13 pikëve e shtoi në 20 pikë për ta mbyllur çështjen e fituesit në këtë derbi.

Më efikasi te Trepça ishte amerikani Darnell Edge, që ndeshjen e mbylli me 29 pikë, 6 kërcime e 5 asistime. Te vendasit me lojë të mirë u veçuan edhe Kevin Davis (16), Brevin Galloway (13 pikë) dhe Drilon Hajrizi (10 pikë).

Te Peja, që kishte mungesa në këtë përballje, vetëm tre lojtarë ndeshjen e mbyllën me pikë dyshifrore. Fundori Jay Jay Davis i pati 21 kërcime e 8 kërcime, ndërsa Justin Edler-Davis e Urald King shtuan nga 19, përkatësisht 12 pikë por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen në Mitrovicë.

Peja në këtë derbi ishte pa amerikanët Jacob Calloway e Tervell Beck, si dhe Lis Shoshin, të gjithë të lënduar. Fundori Larry Thomas që u rikthye te Peja, debutoi me 9 pikë, 3 kërcime e 4 asistime.