KB Trepça ka regjistruar fitore tejet të rëndësishme në xhiron e 24 të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepça të enjten, e mposhti në Suharekë skuadrën e Golden Eagle Yllit me rezultatin e thellë 96:72.
Me këtë fitore, Trepça ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelë me 34 pikë të mbledhura, pesë më pak se Ylli që regjistroi humbjen e nëntë këtë edicion.
Plejmejkeri Ivan Koljeviq ka udhëhequr Trepçën drejt këtij triumfi. Koljeviq ndeshjen e përfundoi me “double-double” prej 26 pikëve e 12 kërcimeve derisa Dino Butorac shtoi 22 pikë.
Te Ylli, amerikani LG Gill ishte më i dalluari me 22 pikë derisa Mitchell Wilbekin e Erjon Kastrati realizuan nga 17 sosh për kokë.