Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça ’89 – Drita derbi i javës së 22-të

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon në fundjavë me xhiron e 22-të.

Ndeshja e cila vlerësohet si më interesantja do të jetë ajo në “Riza Lushta” të Mitrovicës, ku kampionia në fuqi Trepça ’89 në shtëpi e pret Dritën e vendit të dytë.

Mitrovicasit për momentin pozicionohen në vendin e pestë me 33 pikë, katër më pak se gjilanasit që zënë vendin e dytë me 37 pikë, transmeton KTV.

Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan përfundoi baras 1:1.

Sa i përket formës, Drita vjen në këtë përballje pas eliminimit nga Kupa e Kosovës në çerekfinale nga Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa në ligë, Drita nuk ka pësuar disfatë në 17 ndeshjet e fundit. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Trepçën ’89, që u mposht xhiron e kaluar nga Prishtina, 2:0.

E “Bardhekaltrit” që kryesojnë për momentin në tabelë me 39 pikë, do të luajnë në Pejë, por si mysafir i Besës, në klasiken e futbollit kosovar.

Ballafaqim interesant do të jetë edhe ai ndërmjet Llapit e Lirisë. Llapjanët poashtu u eliminuan nga Kupa, por tani kërkojnë ngjitjen në tabelë që mbetet objektivi i vetëm për këtë sezon për skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina.

Gjilani pritet të ketë punë të lehtë në letër pasi përballet me vendin e fundit në tabelë, Vllazninë e Pozheranit. Vëllaznimi në shtëpi e pret Flamurtarin e rrezikuar poashtu, kurse ballafaqimi i vetëm që zhvillohet të shtunën, është ai ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës.

Të gjitha ndeshjet nisin në ora 13:00.

Artikuj të ngjashëm