Nëse skuadra e tij fiton në shtëpi të dielën, trajneri i Salernitanas, Davide Nicola, mund të duhet t’i fillojë përgatitjet për një udhëtim të gjatë në rrugë. Në këtë udhëtim, ai do të jetë i vetëm. Kur ai ishte në krye në Crotone, Nicola u zotua të udhëtonte nga qyteti në Torino me një biçikletë nëse ekipi i tij do ta shmangte rënien nga liga e lartë e Italisë. Duke e arritur këtë në ditën e fundit të sezonit 2016/17, Nicola bëri siç duhet udhëtimin prej 1.300 kilometrash, duke mbërritur vetëm nëntë ditë pasi u nis - kishte kaluar me biçikletë pothuajse të gjithë gjatësinë e Italisë në formë çizmeje.
Këtë herë Nicola ka premtuar se do të ecë nga qyteti i Salernos për në Romë - për të parë Papën - nëse ai siguron mbetjen në Serie A të skuadrës së Salernitanas edhe për një sezon tjetër. Për Nicolan nëse e arrin premtimin, ecja do të jetë prej gati 300 kilometrash. Dhe, mund t'i duhet ta mbajë edhe këtë premtim pas atij që e mbajti para pesë vjetësh kur ishte në krye të skuadrës së Crotones. Në fund të tabelës për pothuajse të gjithë sezonin në Serie A, Salernitana është në prag të arratisjes së madhe. E mundi Venezian e vendit të fundit me shifrat 2:1 të enjten për t'u larguar nga zona e rënies për herë të parë që nga fundjava e hapjes së sezonit. Tani, Salernitana përballet me një tjetër kandidat që po lufton për të shmangur rënien. Luan të dielën kundër Cagliarit, skuadra që e zëvendësoi atë në treshen e fundit në tabelë. Salernitana është e 17-ta me 29 pikë, një më shumë se Cagliari, katër më shumë se Genoa dhe gjashtë mbi Venezian – skuadra që rrezikojnë rënien direkte në Serie B.
Një fitore eventuale ndaj Cagliarit do ta largonte Salernitanan në katër pikë prej zonës së rrezikut me dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, kundër Empolit dhe Udineses.
“Unë as nuk e kam parë tabelën”, tha Nicola pas fitores ndaj Venezias. “Nuk kemi bërë asnjëherë kalkulime. Të dielën duhet të kemi një tjetër ndeshje të mrekullueshme. Ne e dimë se për të bërë diçka epike duhet të shkojmë përtej kufijve tanë”.
Nicola, i njohur si një trajner që mund të shpëtojë skuadrat nga situata të dëshpëruara, u emërua trajner i Salernitanas - i treti brenda këtij sezoni - më 15 shkurt me situatën që dukej e zymtë brenda klubit. Pas një mungese prej më shumë se 20 vjetësh, Salernitana u rikthye këtë edicion në elitën e futbollit të Italisë dhe dukej se ishte e vendosur për pjesën më të madhe të sezonit për t'u rikthyer menjëherë në Serie B. Por Nicola e drejtoi ekipin drejt një barazimi mbresëlënës kundër liderit, Milanit, në ndeshjen e tij të parë në krye dhe gjithashtu barazoi të dytën, kundër Bolognas. Pasuan rezultate të përziera përpara se Nicola të arrinte të regjistronte fitoren e tij të parë më 16 prill në Sampdoria, që edhe ishte fitorja e parë e Salernitanas që nga muaji janar. Salernitana tani ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit në Serie A.
“Nicola na ka zhbllokuar mendërisht, duke na dhënë më shumë qetësi”, tha sulmuesi i Salernitanas, Simone Verdi, i cili shënoi golin e fitores kundër Venezias. “Më parë nuk besonim në veten tonë, tani besojmë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Të dielën do të përballemi me një ekip që do të luajë ndeshjen e jetës, por ne do të jemi gati”.
Vetë Nicola ka shpjeguar se si ka arritur që gjatë kësaj periudhë t’i bëjë lojtarët e tij të ndihen më të qetë.
“Natyrisht që ne të gjithë kemi një mendim obsesiv, atë të mbijetesës, sepse janë dy muaj e gjysmë që po punojmë për këtë dhe po tregojmë se mund ta bëjmë, por duhet ta kemi parasysh se edhe mund të dështojmë”, tha ai. “Në këtë mënyrë ne mund t'i luanim ndeshjet në mënyrë më të lirë dhe të mos mbyllemi”.
Nicola gjithashtu bëri një postim në mediat sociale për të përforcuar mesazhin e tij se “rruga është ende e gjatë”. Ashtu siç mund të ishte shëtitja e tij verore në fund të sezonit nëse e shpëton Salernitanan.