Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri Davide Nicola me një tjetër mision shpëtimi në Serie A

Davide Nicola është në horizont për të kryer aktin e dytë të mrekullueshëm të arratisjes në karrierën e tij si trajner, ndërsa skuadra e Salernitanas udhëton te Atalanta të hënën duke besuar se mund të sfidojnë shanset dhe të ruajë vendin në Serie A. Tre fitore radhazi në hapësirën e një jave e kanë katapultuar Salernitanan në vetëm tri pikë larg Cagliarit që është në zonën e shpëtimit dhe që ka një ndeshje më shumë të luajtur.

E gjithë kjo situata, ka sjellë kujtimet e arratisjes së parë të famshme të Nicolas me një tjetër klub jugor pesë vjet më parë, ka shkruar AFP. Me 29 ndeshje të luajtura të sezonit 2016/17, Crotone i Nicolas kishte marrë vetëm 14 pikë, por një ecuri e jashtëzakonshme në nëntë e fundit, nga të cilat i fitoi gjashtë dhe humbi vetëm një, e lejoi të dilte nga zona e rënies në xhiron finale të atij edicioni.

Nicola kishte premtuar se do të përshkonte me biçikletë gjatësinë e Italisë deri në qytetin e tij të lindjes në Torino, nëse ekipi i tij do ta shpëtonte. Kështu që Nicola e bëri udhëtimin e tij 1300 kilometra nga rajoni i thellë jugor i Kalabrisë në Piemonte në veri-perëndim. Tani Nicola ka pesë ndeshje për të shpëtuar Salernitanan nga një fat që dukej i vulosur pak më shumë se dy javë më parë, kur ishte nëntë pikë larg sigurisë, megjithëse me dy ndeshje më pak, pasi humbi 2:1 nga Roma.

Kjo ishte humbja e tretë në po aq ndeshje - duke e zgjatur ecurinë pa fitore në 11 ndeshje - dhe erdhi pas dy golave ​​në 10-të minutat e fundit për vendësit, të cilët e shndërruan atë që do të kishte qenë një fitore mahnitëse në humbjen e 20-të të Salernitanas.

“Të fitosh tre ndeshje radhazi nuk do të thotë se gjithçka bëhet papritur më e lehtë, tani vijnë gjërat vërtet të ndërlikuara”, pranoi Nicola, i cili në fitoren e javës së shkuar 2:1 ndaj Fiorentinas nga emocionet e hodhi këpucën në fushë. “Është e vështirë ta bësh veten të dëgjohesh në stadium sepse tifozët tanë janë kaq të pasionuar, kështu që më duhej të gjeja mënyra të tjera për të komunikuar me lojtarët e mi”.

Në Serie A për herë të parë në më shumë se dy dekada, Salernitana ka pasur një udhëtim me luhatje që nga fillimi. Në qershor Salernitana kërcënohej të përshtatohej nga elita për shkak se ishte në pronësi të presidentit të Lazios, Claudio Lotito, dhe rregullat në Itali ndaluan pronësinë e dy skuadrave në të njëjtën divizion.

Edhe Trajneri përballet me një ecje epike, ndërsa Salernitana i afrohet më shumë mbijetesës Sport Trajneri përballet me një ecje epike, ndërsa Salernitana i afrohet më shumë mbijetesës

Duke pasur parasysh një afat në natën e Vitit të Ri për të gjetur një pronar të ri ose për t'u përjashtuar nga liga, Salernitana u shpëtua në minutën e fundit kur oferta e Danilo Iervolinos për të blerë klubin u pranua. Drejtori i ri sportiv Walter Sabatini më pas solli 11-të lojtarë në afatin kalimtar të janarit përpara se të shkarkonte Stefano Colantuonon dhe të punësonte Nicolan në muajin shkurt me ekipin që kishte tubuar vetëm 13 pikë.

Ndërkohë, një rritje e rasteve të koronavirusit gjatë dimrit bëri që ata të mos luanin dy ndeshje, njëra prej të cilave, kundër Udineses, fillimisht u dha si humbje 3-0. Ky vendim u anulua pas apelit dhe Salernitana e fitoi këtë ndeshje javën e kaluar me rezultatin 1:0, falë golit në minutat shtesë të Simone Verdit.

“Kam një mision para vetes dhe shpresoj ta përmbush, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Para pesë vjetësh bëra të pamundurën me Crotonen dhe pse të mos besoj se të njëjtën mund ta bëjë edhe me Salernitanan”, shtoi Nicola.