Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajneri i Unionit, Fischer, largohet nga kampi stërvitor para ndeshjes me Bayernin

Klubi i Bundesligës gjermane Union Berlin do të përfundojë përgatitjet për ndeshjen e rifillimit të stinorit të Bundesligës me Bayern Muenchenin të dielën, pa kryetrajnerin Urs Fischer, pasi ai në mënyrë të papritur është larguar nga kampi stërvitor i skuadrës të mërkurën, ka njoftuar klubi në faqen zyrtare.

Zvicerani është dashur të largohet nga hoteli i skuadrës në Saksoninë e Ulët për arsye personale, është thënë në komunikatë të Unionit, duke shtuar se ndihmësi i tij do të merr përsipër stërvitjet.

Bundesliga këtë fundjavë do të bëhet liga e parë e madhe e futbollit që rifillon pas pezullimit të detyrueshëm nga koronavirusi.

“Arsyet për largimin e tij janë vetëm private dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me ndonjë infektim nga korona apo udhëzimet për karantinë për rifillimin e Bundesligës”, është thënë nga Unioni.

Klubi ka shtuar se në raundin e fundit të testeve të cilave i janë nënshtruar lojtarët dhe stafi nuk ka pasur raste pozitive.

“Stërvitjen në ditët në vijim do ta udhëheqin ndihmës-trajnerët Markus Hoffman dhe Sebastian Boening”, është thënë nga klubi.

Është ende e qartë nëse Fischer do të kthehet në bankinë, pasi gjitha ekipet e ligës duhet të mbesin në izolim të plotë për shtatë ditë para rifillimit të stinorit.

Kjo është si pjesë e masave të shëndetësisë dhe sigurisë për rikthimin e Bundesligës. Unioni zë vendin e 11-të me 30 pikë dhe të dielën e pret Bayernin.