Sport

Trajneri i Sivassporit e vlerëson të vështirë ndeshjen me Ballkanin

Riza Çalambay

Trajneri i Sivassporit, Riza Çalimbay, ka thënë se nga Kosova, skuadra turke do të provojë të kthehet vetëm me pikë, në mënyrë që ta mbaj hapin për ta kaluar grupin. Ballkani të enjten në orën 21:00, do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në Grupin G të Ligës së Konferencës.

Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ballkani falë goldallimit më të mirë është i pari në grup me katër pikë. Katër pikë në tri ndeshje i kanë edhe Sivasspori, Slavia e Pragës dhe Cluji.

“Kjo është një prej ndeshjeve më të mira për ta kaluar grupin. Të gjitha skuadrat kanë nga katër pikë. Asnjëri nga ekipet e grupit nuk ka avantazh. Duke e përfunduar këtë ndeshje me sukses, ndeshja me Slavian e Pragës, e cila do të jetë e fundit, mund të jetë finale për ne. Duhet të fitojmë kundër Clujit, ndeshje e cila luhet në vendin tonë, në mënyrë që ta kalojmë këtë grup. Mund të ketë lodhje në skuadrën tonë. Dy lojtarë janë të lënduar. Përveç kësaj, nuk kemi probleme tjera. Synimi jonë është që të largohemi nga Kosova me një pikë apo me pikët e plota”, ka thënë Çalimbay për faqen zyrtare të klubit.