Humbja nga Sivasspori, të enjten mbrëma, nuk ishte aspak e lehtë për t’u pranuar nga futbollistët e Ballkanit. Por te skuadra nga Suhareka insistojnë se nuk janë dorëzuar në tentimin për të avancuar nga faza e grupeve në Ligën e Konferencës.
Ballkani u mposht 2:1 në Prishtinë në kuadër të xhiros së katërt të Grupit G, për të rënë në pozitën e fundit në tabelë me katër pikë të tubuara. Deri në fund të fazës së grupeve kanë mbetur edhe dy xhiro dhe te Ballkani insistojnë se fatin e avancimit në rundin nokaut e kanë në duart e tyre.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, ka thënë se nëse fitohen dy ndeshjet, atëherë kampioni kosovar e ka të garantuar kalimin e grupeve.
Ballkani luan me Slavia Pragën në Prishtinë më 27 tetor. Me Clujin luan në Rumani, më 3 nëntor. Me ndeshjen në Cluj-Napoca e mbyll fazën e grupeve.
Aktualisht, Cluji dhe Sivasspori kanë nga shtatë pikë, tri më shumë se Slavia e Ballkani. Dy të parët në grup avancojnë në fazën nokaut. I pari në një të tetën e finales, kurse i dyti në 1/16 e finales.
Humbja nga Sivasspori, të cilin Ballkani e mposhti javën e shkuar në Turqi (4:3), është e dyta në fazën e grupeve për suharekasit.
“Sigurisht që ende besojmë se do ta kalojmë fazën e grupeve. E kemi fatin në duart tona dhe ende asgjë nuk ka përfunduar. Matematikisht jemi në garë dhe nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi deri në fund”, ka insistuar Kuç të premten. “Kemi më shumë kohë të përgatitemi për këto dy ndeshje, pasi ndaj Sivassporit erdhi në shprehje edhe lodhja e ekipit për shkak të orarit të ngjeshur”.
Mesfushori ka insistuar se Ballkani i njeh shumë mirë kundërshtarët më të cilët do të përballet dy xhirot e ardhshme. Ndaj Clujit, skuadra nga Suhareka mori një pikë duke luajtur baras 1:1 në Prishtinë. Në fakt, Ballkani ishte në epërsi deri në fund të ndeshjes, kur edhe e pranoi golin e barazimit. Ndërsa, në udhëtim te Slavia skuadra kosovare u mposht me rezultatin e ngushtë 3:2 dhe tregoi ndeshje të mirë. Dy herë ishte në epërsi.
Kuç thotë se më shumë se kurrë Ballkani ka nevojë për përkrahje të fuqishme. Sipas tij, kalimi i fazës së grupeve do të ishte një sukses tjetër historik për futbollin kosovar në përgjithësi, jo vetëm për Ballkanin.
“Në tashmë kemi dëshmuar se mund të përballemi me të gjithë kundërshtarët që i kemi në grup dhe për këtë arsye ka optimizëm për dy ndeshjet e fundit. Sigurisht, humbja nga Sivasspori na erdhi shumë rëndë, por tash kemi nevojë për përkrahje edhe më të madhe nga të gjithë tifozët për t’u ngritur dhe për ta synuar edhe një sukses tjetër historik”, shtoi Kuç. “Nuk kemi kohë për të vajtuar humbjen e fundit, pasi duhet të përgatitemi dhe të jemi gati, jo vetëm për ndeshjet e Ligës së Konferencës, por edhe ato të kampionatit të Kosovës. Të dielën veçse kemi duelin e radhës”.
Kuç është optimist për ndeshjet me Clujin dhe Slavian. Thotë se Ballkani do të jetë i kompletuar. Përgjatë fazës së grupeve, Ballkani është përballur me mungesa të shumta të lojtarëve shkaku i lëndimeve. E njëri prej tyre ishte pikërisht kapiteni Kuç. Ai i mungoi Ballkanit në tri ndeshjet e para të Grupit H, për t’u kthyer në duelin e fundit ndaj SIvassporit. Në këtë ndeshje, Kuç u aktivizua në 14 minutat e fundit të takimit.
Kuç thekson se në dy ndeshjet e fundit Ballkani do të dëshmojë se nuk është vetëm ekipi më i mirë në Kosovë, por edhe në rajon.
“Kemi pasur shumë telashe me lëndimet dhe po besoj se tashmë nuk do të kemi probleme të tilla. Do të jemi të kompletuar për t’i synuar pikët që të kalojmë tutje. Do të bëjmë gjithçka si duhet për të dëshmuar edhe një herë se jemi ekipi më i mirë në Kosovë dhe regjion. Jemi gati për dy sfidat e radhës që janë tejet të rëndësishme”, shtoi mesfushori 28-vjeçar.
Për Ballkanin, kjo është kampanjë debutuese në garat e UEFA-s. Si kampion i Kosovës, Ballkani e nisi rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në fazën e parë. Pas eliminimit në Champions, Ballkani e vazhdoi rrugëtimin me sukses në kualifikimet e Ligës së Konferencës për ta siguruar fazën e grupeve. Tani synon fazën nokaut.