Trajneri i Sheffield Wednesdayt, Lee Bullen, ka vlerësuar lart kontributin e reprezentuesit të Kosovës, Atdhe Nuhiu.
Nuhiu të mërkurën mbrëma realizoi gol në çastet e fundit të ndeshjes, ndërsa i siguroi skuadrës së tij kalimin tutje në League Cup, duke triumfuar 1:0 ndaj Rotherham United.
Nuhiu luajti tërë ndeshjen. Nuhiu është kritikuar nga tifozët e Sheffield Wednesdayt më herët për mungesën e angazhimit.
“Nuk e di pse njerëzit kanë atë lloj marrëdhënie dashuri-urrejtje me të madhin. Ai është aq efikas. Unë po flisja me trajnerin e Prestonit, Alex Neil të shtunën. Ai më tha, ai i madhi, ai shkakton tmerr sa herë që aktivizohet dhe e ka bërë këtë sërish. Dëgjoni, ai i di kufizimet e tij dhe kjo është e rëndësishme për çdo lojtar. Por, ai i di edhe forcat e tij dhe është aq i fortë mentalisht. Nuhiu është këtu për shtatë vite dhe ka shumë paraqitje për klubin. Ai e do këtë klub dhe ai është njeriu që del dhe shënon gol në minutën e 95-të. Djelmoshat e duan atë, e duan të kenë përreth dhe ai mund të jetë aq efikas. Kështu që jam i lumtur për të”, ka thënë trajneri i Sheffield Wednesdayt, Lee Bullen për "BBC Radio Sheffield", transmeton Koha Ditore.