Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në Kampionatin Evropian me stil, duke përfunduar në krye të grupit që përfshinte Republikën Çeke dhe Poloninë. Është kjo një ëndërr e realizuar për trajnerët amerikano-jugorë të Shqipërisë.
“Është e pabesueshme”, ka pranuar trajneri brazilian Sylvinho. “Ne kemi gjithçka për një moment. Ne bëmë një punë të shkëlqyer. Të gjithë së bashku”.
Sylvinho mori me vete bashkatdhetarin Doriva dhe argjentinasin Pablo Zabaleta si ndihmës të tij kur u punësua në janar të këtij viti nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Ata formuan një ekip prej 24 anëtarësh mes 60 lojtarëve shqiptarë që bënin karrierë në ligat italiane, spanjolle, franceze, angleze e më gjerë, për të mos përmendur ato vendëse. Zabaleta nuk do ta harrojë kurrë thirrjen e Sylvinhos, ish-bashkëlojtarit të tij në Manchester City me të cilin ka krijuar edhe lidhje të ngushta familjare. Ata përcaktuan se Shqipëria kishte “një brez të mirë lojtarësh”.
“Ne duam të ndërtojmë një ekip që të mund të luajmë futboll të mirë. Dua të them, në mënyrën se si ne e shohim futbollin”, tha Zabaleta.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e nderoi Sylvinhon me çmimin “Shqiponja e Artë” gjatë Samitit të Diasporës Shqiptare që po mbahet në Tiranë. Sylvinho u nderua me këtë çmim për kontributin e tij në kualifikimet për “Euro 2024”, ku Shqipërisë ia siguroi pjesëmarrjen në këtë turne që vitin tjetër mbahet në Gjermani.
“Ti je i pari joshqiptar që merr ‘Shqiponjën e Artë’ jo për atë që ke bërë, por sepse je shqiptar i lindur”, i tha Rama brazilianit. “Pas ‘Shqiponjës së Artë’ shumë shpejt duhet të pranoni edhe shtetësinë shqiptare”.
Shqipëria ka luajtur në Kampionatin Evropian vetëm një herë më parë – në vitin 2016 nën drejtimin e trajnerit italian Giovanni de Biasi. Sylvinho ka përdorur përvojat e tij nën drejtimin e Pep Guardiolës, për të cilin luajti te Barcelona, dhe ish-trajnerit të Brazilit, Tite, për të krijuar një frymë ekipore shqiptare që thekson një lojë “komplekse” dhe “kolektive” të futbollit.
“Talenti mund të fitojë një lojë futbolli”, tha Zabaleta. “Por skuadra, shpirti i një ekipi, mund të arrijë gjëra të mira në futboll ose të fitojë trofe”.
Pa emra të mëdhenj në ekip, gjetja e lojtarëve për t'iu përshtatur stilit të tyre të lojës ka rezultuar me sukses. Ata donin një sulmues të majtë për të luajtur në anën e djathtë. Ai doli të ishte Jasir Asani, një 28-vjeçar që luan për klubin koreano-jugor Gëangju dhe që ka shënuar disa gola të ngjashëm si Lionel Messi. Ata donin një mbrojtës të majtë për ta dërguar topin më shpejt në sulm dhe për t'u kombinuar me lojtarët më të vjetër. Ka qenë 20-vjeçari Mario Mitaj i Lokomotivës së Moskës që bashkohet mirë me anësorin veteran të Lazios, Elseid Hysaj. Zhvillimi i Shqipërisë në një ekip të fortë për “Euro 2024” dhe më tej mbetet një objektiv kyç.
“Nëse duhet të jesh i qëndrueshëm”, tha Sylvinho, i cili më përpara si trajner ka punuar te Lyoni në Francë dhe Corinthiansi në Brazil. “Duhet të rritesh dita-ditës, ‘avash avash’. Kjo është sfida që kemi tani”.
Ndërkohë Zabaleta shtoi: “Ne nuk kemi frikë nga askush. Ne jemi një ekip i mirë. Kemi lojtarë të mirë dhe gjëja më e rëndësishme është që duhet të luajmë me 100 për qind në çdo ndeshje. Ky është shpirti”.
Të dy hezituan të thonë se ku e shohin veten pas turneut të verës së ardhshme në Gjermani.
“Preferoj të jetoj momentin e pabesueshëm për të ëndërruar për ne dhe për të përgatitur ekipin për gjashtë apo shtatë muajt e ardhshëm”, tha Sylvinho.
Zabaleta pranoi se puna me një përfaqësuese është më e qetë në krahasim me intensitetin e punës në klube.
“Kur ke një familje pas teje, duhet të mendosh për ata”, tha ai, duke shtuar se i mungojnë gruaja dhe dy djemtë e tij të vegjël që jetojnë në Barcelonë.
Ata e shijojnë kohën në Tiranë, me “njerëz miqësorë, me përqafime braziliane, biseda. Ushqimi është i mahnitshëm. Ushqimi i mahnitshëm. Peshku”, tha Sylvinho.
Sylvinho dhe Zabaleta vijnë nga dy nga rivalët më të mëdhenj të futbollit botëror – Brazili dhe Argjentina - por ata janë të bashkuar për të punuar së bashku në rolet e tyre të reja.
“Përveç kur Argjentina luan me Brazilin”, tha Zabaleta. “Të nesërmen Sylvinho paguan darkën, paguan drekën. Por është e pabesueshme puna së bashku”.